LIDHJA BALLKANIKE


LIDHJA BALLKANIKE
✤ (1912). Aleanca politike dhe ushtarake që lidhën në mes tyre Serbia, Bullgaria, Greqia dhe Mali i Zi kundër Turqisë për ta dëbuar nga Ballkani dhe për të ndarë zotërimet osmane në Gadishull.

Në themel të L.B. u vu traktati i aleancës serbo-bullgare, i lidhur nën nxitjen dhe me ndërmjetësinë e Rusisë në fillim të marsit. Traktati serbo-bullgar pati edhe një «shtojcë» sekrete, e cila përcaktonte mënyrën e ndarjes midis tyre të tokave shqiptare e maqedonase. Serbisë iu njoh e drejta mbi tokat shqiptare në veri ahe në perëndim të malit të Sharrit (pjesa më e madhe e vilajetit të Kosovës dhe vilajeti i Shkodrës). Bullgaria do të merrte territorin në lindje të Rodopit clhe lumit Struma. Territori që mbetej midis Sharrit, Rodopit, detit Egje dhe liqenit të Ohrit do të ndahej më vonë midis tyre. Këtu përfshiheshin sidomos edhe treva shqiptare me qytetet Kumanovë, Tetovë, Gostivar, Dibër, Kërçovë, Strugë.

L.B. u plotësua me traktatet që u lidhën me Greqinë e Malin e Zi. Në traktatin greko-bullgar të majit që u pasua nga konventa ushtarake e shtatorit nuk bëhej fjalë për ndarje të territoreve, por kjo për shkak të divergjencave midis tyre sidomos lidhur me Maqedoninë, ndërsa Greqia e kishte shpallur haptazi planin për të shtënë rnë dorë Shqipërinë e Jugut («Vorio-Epirin»). Në marrëveshjet e Bullgarisë e Serbisë me Malin e Zi (fundi i shtatorit — fillimi i tetorit), këtij të fundit i njihej e drejta të mbante tokat që do të pushtonte në luftën kundër Turqisë, duke u nënkuptuar këtu Shkodra dhe vise të tjera në Veri. Kështu në marrëveshjet e përfunduara midis aleatëve ballkanikë, Shqipëria u trajtua si pjesë e «trashëgimit osman», që duhej të ndahej midis tyre. Në tetor 1912 aleatët ballkanikë filluan luftën kundër Turqisë (shih: Lufta e I Ballkanike), luftë që përveç aspektit pozitiv të dëbimit të Turqisë, çoi në gjymtimin e rëndë të tokave shqiptare.

(Th.M.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Lidhja Ballkanike


[cite]