LIDLIJA E LEZHËS


LIDLIJA E LEZHËS
✤ (Lidhja shqiptare e v.1444). Bashkimi i parë politik-ushtarak mbarëshqiptar i njohur në historinë e Shqipërisë; u krijua me vendim të Kuvendit që u mbajt në qytetin e Lezhës më 2 mars 1444, i thirrur me nismën e Skënderbeut. Në Kuvendin e Lezhës morën pjesë sundimtarë, midis të cilëve ishin Gjergj Arianiti, Andrea Topia, Nikollë Pal Dukagjini, Theodor Korona Muzaka, Lekë Zaharia, Lekë Dushmani, Gjergj Stres Balsha, Pjetër Spani si dhe përfaqësues të Malësive shqiptare; mori pjesë edhe sundimtari i Malit të Zi Stefan Cernojeviç.

L. e L. u krijua me vullnetin e sundimtarëve të vendit, të cilët, duke nxjerrë mësim nga përvoja e së kaluarës, përpara rrezikut që u kërcënohej nga pushtimi osman, lanë mënjanë divergjencat dhe vendosën bashkimin e forcave politiko-ushtarake dhe ekonomike të vendit. Për këtë qëllim Lidhja mori masa për krijimin e një ushtrie të përbashkët dhe të një arke lufte si organe të veta; ajo e shpalli Skënderbeun kryetar të saj dhe njëkohësisht, me titullin «Kapidan i përgjithshëm», komandant epror të ushtrisë. Ushtria do të përbëhej nga repartet e rekrutuara në zotërimet e secilit prej anëtarëve të Lidhjes,

të cilët do të mbanin komandën e këtyre reparteve dhe do të jepnin një kontribut në të holla për mbajtjen e ushtrisë. Si në arkën e luftës, ashtu edhe në ushtri, principata e Kastriotëve jepte kontributin më të madh. Në L. e L. secili prej pjesëmarrësve ruante autonominë e vet poIitike; Skënderbeu si kryetar i saj nuk kishte të drejtën të ndërhynte në zotërimet e sundimtarëve të tjerë. Megjithatë, caktimi i një udhëheqësi politik e ushtarak unik ishte një hap që ndihmonte për kapërcimin e përçarjes feudale. Mjetet e bashkuara të L. së L. e komanda unike krijuan kushte më të mira për organizimin e mbrojijes së vendit. Konsolidimi i L. së L. në sajë edhe të mbështetjes së fuqishme të masave popullore, i dha Skënderbeut si udhëheqës i saj mundësinë që t’u bënte ballë me sukses situatave të vështira të një lufte të gjatë e eila u zhvillua nganjëherë në dy fronte, kundër osmanëve dhe Venedikut, si dhe në kushtet e shkëputjes së disa anëtarëve prej L. së L.

(K.Bo.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Lidlija E Lezhës


[cite]