LIMFA

Limfa është një lëng i qartë me ngjyrë pak në të verdhë. Ajo formohet nga një pjesë e plazmës së gjakut që arrin të kalojë membranën e hollë të gypëzave kapilarë të enëve të gjakut. Këtë e shpreh edhe vetë fakti se përbërja e limfës është shumë e ngjashme me atë të plazmës së gjakut.

Limfa përbën mjedisin e lëngshëm të trupit tonë, në të cilin qëndrojnë të zhytura qelizat dhe indet. Ajo i rrethon qelizat nga të gjitha anët dhe hyn në të gjitha hapësirat ndërqelizore. Me limfën qelizat kryejnë shkëmbimin e lëndëve: marrin ushqimet dhe oksigjenin që sjell aty gjakun, dhe nxjerrin skoriet dhe gazin karbonik.

Me rrjedhën e limfës shpërndahen në organizëm yndyrat. Nëpërmjet organeve thithëse të zorrëve të holla, yndyrat kalojnë në rrjetën kapilare limfatike e prej kësaj në enët limfatike, ndryshe nga aminoacidet e glukoza që kalojnë në gjak e që shpërndahen në organizëm nëpërmjet tij. Limfa qarkullon pa ndërprerje në trupin tonë nëpërmjet një rrjete të tërë gypëzash e gypash që formojnë atë që quhet sistemi limfatik. Ky sistem është i përbërë nga rrjeta kapilare limfatike, nga enët limfatike dhe nga nyjat limfatike.

Qarkullimi i limfës kryhet në këtë mënyrë: nga mjedisi limfatik limfa hyn në morinë e gypëzave të hollë që formojnë rrjetën kapilare limfatike dhe prej andej kalon në degëzimet e enëve limfatike e më pas në enët limfatike kryesore; enët limfatike e kalojnë limfën në venat e mëdha të gjakut që e shpien atë në zemrën e djathtë dhe në këtë mënyrë limfa bashkohet me plazmën e gjakut dhe hyn në qarkullimin e përgjithshëm të gjakut.

Përbërja e limfës është e afërt me atë të plazmës. Ajo përmban: 94-95 për qind ujë dhe pjesën tjetër proteina dhe kripëra minerale. Por studimet kanë vënë në dukje se përbërja e limfës është mjaft e afërt dhe me përbërjen e ujit të detit, ajo përmban po të njëjtat kripëra minerale. veçse me një përqendrim pakëz më të vogël. Kjo ngjashmëri nuk është një rastësi. Jeta e gjallë filloi miliona vjet më parë në det, prandaj dhe përbërja e limfës ndoshta ka lidhje me atë mjedis ujor të parë në të cilin lindi jeta, organizmat e parë njëqelizorë.

Trupi — Ynë

[cite]