LINDJA
✤ Ardhja në jetë e një fëmije ka qenë dhe është një ngjarje me rëndësi në jetën e familjes e të shoqërisë. L. e shoqëronin një varg ritesh e zakonesh, të cilat përbëheshin nga shtresa te ndryshme historike e kulturore, duke nisur nga lashtësia e paganizmi deri te fetë monoteiste, por që pasqyronin me veçantitë e tyre edhe kërkesat objektive për të lindur e rritur fëmijë të shëndetshëm. Në to gjen vend sidomos dëshira për të lindur djalë, e lidhur me kushtet ekonomike-shoqërore të vetë familjes. Për shtatzënën, tregohej kujdes i veçantë, por zakonet e lidhura me të kishin mjaft elemente me karakter magjik. Deri
nga mesi I shek.XIX është ruajtur si mbeturinë zakoni i mërkoshit (lehonia e burrave), i cili si duket ishte një akt simbolik i mbetur nga periudha e kalimit prej matriarkatit në partriarkat si shenjë për të afirmuar të drejtën atësore mbi fëmijën. Që nga dita e lindjes përcaktohej një periudhë prej 40 ditësh e lehonisë (djergnia, lodhnia) gjatë së cilës tregohej kujdes i posaçëm për nënën e foshnjën. Mjaft kohë përpara nëna e ardhshme përgatiste mbulojat e bukura të djepit, jastëkët e një sërë qëndisjesh të tjera të holla, si dhe veshjet. Djepet zbukuroheshin me gdhendje, por dhe me vizatime figurash të ndryshme bimore ose shtazore me ngjyra të shumta. Foshnjës i këndoheshin këngët e djepit (shih: Lirika popullore), Në zakonet e L. përfshiheshin edhe mjaft ceremoni që lidheshin me vënien e emrit, me pagëzimin, të prerët e flokëve, daljen e dhëmbit të parë etj. Pas Çlirimit zakonet e L. kanë ndryshuar shumë nën ndikimin e botëkuptimit të ri dhe të shndërrimeve të lidhura sidomos me shërbimin mjekësor dhe kujdesin e shoqërisë socialiste për nënën e fëmijën. Janë mënjanuar zakonet me përmbajtje fetare dhe një sërë ritesh të tjera. Pushteti popullor mbron me ligje të posaçme gruan shtatzënë, janë krijuar të gjitha kushtet për lindjen e rritjen e fëmijëve të shëndetshëm me hapjen e çerdheve e kopshteve në të gjitha fshatrat e vendit, të këshillimoreve për gratë shtatzëna e nënat etj.
(Y.Se.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Lindja