LUFTA E LESKOVIKUT
✤ (16-25.5.1943). Përfshin luftimet më të mëdha e të bashkërenduara të zhvilluara nga çetat partizane deri në maj të vitit 1943. Ato u zhvilluan për çlirimin e qytetit të Leskovikut, ku ishin përqëndruar 400 ushtarë fashistë të pajisur me 40 mitraloza dhe disa mortaja. Ky veprim u ndërmor me udhëzim të veçantë të shokut Enver Hoxha, i cili ndodhej në atë kohë në Kucak të Oparit. Morën pjesë 12 çeta partizane të qarkut të Korçës, me rreth 600-700 veta. Ç P e Gorës, Oparit, Devollit, Rrëzës së Korçës, «Tomori», e Kurorës, Leskovikut, Kolonjës dhe dy çeta të tjera u caktuan për të sulmuar mbi Leskovik, kurse ajo e Vithkuqit dhe e Ostrovicës zunë prita në rrugën Ersekë-Leskovik dhe Përmet-Leskovik. Sulmi filloi në orën 03°° të datës 17.5.1943. Fashistët, të zënë në befasi, u bënë gati për dorëzim, mirëpo në ndihmë të tyre erdhi aviacioni si dhe dy batalione ushtarësh fashistë. Këto forca u gozhduan në pritë nga partizanët te ura e Shalësit dhe te ura e Çarshovës, duke pësuar humbje të ndjeshme në të vrarë, të plagosur e robër. Vetëm në mëngjesin e 17 majit batalionet italiane që i shkuan në ndihmë garnizonit të Leskovikut, mundën të hynin në qytet. Por nga presioni i madh i forcave partizane, komanda italiane e gjykoi të pamundur qëndrimin më gjatë në T_,eskovik të trupave italiane, prandaj më 25 maj ato u tërhoqën përfundimisht nga ky qytet, duke lënë mbi 200 të vrarë e të plagosur dhe afër 40 robër. Nga çetat partizane ranë dëshmorë 4 luftëtarë, ndërsa 12 u plagosën. Pas çlirimit të Leskovikut, e gjithë vija e kufirit prej Konispolit deri në Devoll kontrollohej nga forcat partizane, të cilat, me vendim të KQ të PKSH dhe të Këshillit të Përgjithshëm NÇ, ngritën postat nacionalçlirimtare të kontrollit kufitar; armiku humbi lidhjet e komunikacionit ndërmjet Armatës IX (në Shqipëri) dhe Armatës XI (në Greqi). Lufta e Leskovikut tregoi se qenë krijuar kushte për të organizuar veprime luftarake me pjesëmarrjen e forcave të mëdha dhe ndihmoi që të fitohej përvojë për përmirësimin e drejtimit të luftimit, të organizimit dhe të mbajtjes së bashkëveprimit.
(M. II.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Lufta E Leskovikut
[cite]