LUFTA POPULLORE


LUFTA POPULLORE
✤ Luftë e armatosur e masave të gjera për liri, pavarësi, çlirim kombëtar e shoqëror dhe për mbrojtjen e atdheut, e organizuar dhe e drejtuar nga një udhëheqje politike revolucionare. Ajo duhet të ketë një organizim të lartë, një program të paracaktuar dhe koncepte të qarta politike, strategjike e taktike. L. P. merr karakter të thellë popullor kur në udhëheqje të saj është klasa punëtore me partinë e saj marksiste-leniniste dhe qëllimet e luftës u shërbejnë interesave themelore të popullit. Pjesëmarrja e gjerë e masave popullore dhe udhëheqja e drejtë revolucionare në L. P. gjen shprehjen e vet edhe në format e metodat e luftës. Strategjia e taktika e L. P. synon të mos lejojë ushtrinë agresore e shtypëse të përdorë epërsinë e saj në forca, armatim e teknikë luftarake, të çaftësojë veprimtarinë e tyre dhe t’i asgjësojë ato; ajo bashkërendon në një të vetme format e luftës politike, ekonomike e ushtarake, demonstratat, grevat, sabotimet, luftën e guerileve me veprimet luftarake të reparteve në front etj. L. P. suksesin e saj e mbështet, në radhë të parë, te pjesëmarrja e gjerë e masave, te veprimtaria e ndërgjegjshme e tyre, te shpirti i sakrificës, besimi në forcat e veta, vendosmëria, trimëria dhe heroizmi masiv. Në kushtet e sotme, kur çështja e revolucionit dhe e çlirimit kombëtar të popujve nuk është vetëm një aspiratë e një perspektivë, por një problem i shtruar për zgjidhje, L. P. është bërë një dukuri masive dhe përbën një armë të sigurt në duart e proletariatit e të popujve të shtypur për çlirimin e tyre nga klasa shfrytëzuese dhe pushtuesit e huaj. L. P. për mbrojtjen e atdheut socialist, e përpunuar nga PPSH e shoku Enver Hoxha, ka për bazë mbështetjen në forcat e veta, armatosjen, organizimin e përgatitjen ushtarake të tërë popullit e vendit. Ajo është një L. P. e shkallës më të lartë, ku veprimtaria luftarake e ushtrisë bashkërendohet me atë të strukturave të tjera të mbrojtjes e me veprimtarinë e tërë popullit, front e prapavijë bëhen një, atdheu mbrohet pëllëmbë për pëllëmë me luftë ballore e sipas taktikës së luftës partizane (shih) në dobi të saj. L. P. e mbështet suksesin e saj në parapërgatitjen e popullit e të vendit për t’iu përgjigjur menjëherë sulmit të befasishëm të armikut dhe për të mos i lejuar atij hapësirën tokësore, përhapjen e forcave dhe të mjeteve etj.

(A. Q.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Lufta Popullore


[cite]