LUGINA E DEVOLLIT


LUGINA E DEVOLLIT
✤ Luginë në rrethet e Korçës, Gramshit, Elbasanit dhe Beratit. Fillon në lartësinë rreth 1900 m në JL të maleve të Moravës me një lug akullnajor. Deri në Miras është e ngushtë, në formën e germës «V», në përgjithësi asimetrike dhe me pragje e shkallëzime të shumta. Që këtej ajo zgjerohet dora-dorës dhe në Bilisht merr pamjen e një fushe me gjerësi deri në rreth 7 km. Këtu ka edhe disa nivele tarracash lumore asimetrike. Pas grykës së Cangonjit L. e D. hyn në fushën e Korçës (shih) ku lumi Devoll rrjedh në një shtrat të cekët dhe pa tarraca. Nga Maliqi deri në afërsi të Kodovjatit lugina ndërpret tërthor disa struktura gjeologjike të përbëra nga molasa e flishi, nga gëlqerorë dhe shkëmbinj magmatikë. Prandaj ajo në përgjithësi ngushtohet dhe në sektorët ku ndërpret shkëmbinj të fortë e të qëndrueshëm janë formuar gryka të ngushta dhe kanione, si kanionet e Dobërçanit, të Gur Shqipes etj., me kushte të përshtatshme për ndërtimin e veprave hidroenergjetike. Nga Kodovjati deri në Cërrik L. e D. zgjerohet përsëri, është asimetrike dhe kalon nëpër strukturën sinklinale të Gramshit ku lumi ka formuar disa nivele tarracash që përbëjnë fusha të vogla me lartësi të ndryshme nga lumi. Nga Cërriku e deri në bashkimin e l.Devoll me Osumin L. e D. ka drejtim JP e zgjerohet mjaft, ka degëzime dhe dredha të shumta por pak tarraca.

(P.Q.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Lugina E Devollit


[cite]