LUGINA E DRINIT TË ZI
✤ Luginë në L të Krahinës Malore Qendrore, në rrethet Kukës e Dibër, me gjatësi 150 km dhe gjerësi nga 3-4 km deri në 8-10 km. Sktrihet midis vargut malor të Korabit në L, vargut malor qendror në P, pellgut të Liqenit të Ohrit në J dhe atij të Kukësit në V. Është e ndërtuar nga shkëmbinj karbonatikë e flishorë të mesozoit e paleogjenit, rreshpe të paleozoit dhe molasa pliocen-kuaternare dhe ka prejardhje tektoniko-erozive, e formuar në thyerjen e madhe tektonike të Drinit të Zi. Ka drejtim të përgjithshëm gati V-J, me zgjerime dhe ngushtime të theksuara. Zgjerimet formohen në pellgjet e mbushura nga molasa pliocen-kuaternare, si pellgu i Dibrës, i Peshkopisë, i Kukësit, kurse ngushtimet në pragjet ndarëse midis tyre, si midis pellgut të Liqenit të Ohrit dhe Dibrës (jashtë kufirit shtetëror), midis këtij të fundit e Peshkopisë (nga Ura e Topojanit deri në Katund të Ri), në Grykën e Skavicës dhe në Gjabricë. L. e D. të Z. ka klimë mesdhetare kontinentale, me temp. mesatare vjetore 11.8°C (Kukës) e 11°C (Peshkopi). Sasia mesatare vjetore e reshjeve është 964 mm, një pjesë e vogël e tyre bien në formë bore. Bimësia përfaqësohet gati tërësisht nga zona e dushkut (deri 900-1100 m>, dhe shtrihet më tepër nga shpati i majtë i luginës. L. e D. të Z. është një nga zonat gjeografike kryesore të vendit, ku mbillen sidomos drithëra të bukës e fasule. Gjithë relievi kodrinor i saj veçanërisht ai nga e djathta (midis Dovolanit e Kastriotit) është mbjellë me mollë, kumbulla, arra, gështenja e qershi. Ka mjaft të zhvilluar dhe blegtorinë (të imëtat e gjedhi). Në Muhur nxirret mermeri, ka ujëra termale (Llixhat) në Peshkopi. Është shumë e populluar, veçanërisht treva midis Dibrës e Peshkopisë. Qendrat kryesore të banimit në këtë luginë janë qytetet e Kukësit, Peshkopisë dhe Dibrës (jashtë kufirit shtetëror), si dhe Maqellara, Shupenza, Dovclani. Tomini, Kastrioti, Zallë Dardha, Bicaj etj.
(Gj.G.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Lugina E Drinit Të Zi
[cite]