LUGINA E VJOSËS


LUGINA E VJOSËS
✤ Një nga luginat më të mëdha të vendit, në rrethet e Përmetit e Tepelenës midis vargut malor Nemerçkë-Dhëmbel e malësisë së Kurveleshit, si dhe zonës së Dangëllisë e Dëshnicës dhe malit të Trebeshinës e Shëndellisë, me gjatësi 117 km dhe gjerësi 600-800 m deri në 1000-1500 m e drejtim JL-VP. Është e ndërtuar kryesisht prej flishit të paleogjenit dhe molasës. Ka prejardhje tektonike-erozionale, . e ndikuar dhe nga shkëputja tektonike, që kalon pak a shumë në boshtin e brezit sinklinal të Përmetit. Në përgjithësi L. e V. është asimetrike me shpatin e majtë të pjerrët e të shkurtër, ka 5 tarraca lumore të lashta të cilat ruhen mirë në pjesën e sipërme (Kaludh-Këlcyrë), sidomos në shpatin e djathtë. Ka edhe tarraca më të reja, që ruhen mirë dhe shtrihen pothuajse pa ndërprerje në të dy anët e luginës duke formuar fushën e Vjosës, e cila mbillet me drithëra, perime e foragjere dhe kd blloqe pemësh frutore (qershi, kumbulla, mollë, pjeshkë dhe sidomos vreshta). L. e V. ka klimë mesdhetare detare, me temp. mesatare vjetore 15°C. Sasia mesatare vjetore e reshjeve, kryesisht shi është 1300 mm. Ka bimësi të zonës së shkurreve mesdhetare, sidomos makje dhe lisnaja në shpatin L dhe VL. Bimësia natyrore në shpatin e djathtë është zëvendësuar gjerësisht nga drurët frutorë. Rriten ullinjtë, fiqtë, shegët, madje dhe agrumet në vendet e mbrojtura si në fshatin Dragot (Tepelenë). Tokat kryesore janë të hinjta kafe dhe aluvionale. Prodhohen drithëra (misër, grurë), perime, foragjere, Në gjithë relievin kodrinor të L. së V., veçanërisht nga e djathta, janë krijuar blloqe të reja vreshtash dhe drurësh të tjerë frutorë që zgjaten në formën e brezareve paralel me luginën. Në Memaliaj është miniera e qymyrgurit. Pranë Leskovikut dhe në Benjë (Përmet) ka burime termale që shfrytëzohen gjerësisht për kurimin e sëmundjeve të ndryshme. Qendrat e banuara kryesore janë: Përmeti, Këlcyra, Tepelena, Memaliaj.

(N. M.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Lugina E Vjosës


[cite]