LUNGARA
✤ Mal midis gjirit të Vlorës në P dhe luginës së Shushicës në L, vazhdim në VP i var-

gut të Çikës, prej të cilit ndahet nga qafa e Shëngjergjit (1152 m). Ulet nga 1864 m në JL (maja e Qiramangës në malin e Bratajt ose Bratit) në 300-400 m në VP (kodrat e Shashicës në Ujin e Ftohtë dhe ato të Kaninës). Shpati P i L. është shumë i copëtuar nga një shkëputje tektonike që kalon nga Dukati në Ujin e Ftohtë (shih) gjatë kontaktit të gëlqerorëve me flishin e molasën dhe bie pjerrët mbi gjirin e Vlorës. Shpati L bie më butë mbi luginën e Shushicës. Kurrizi dhe shpatet e L. përbëhen nga gëlqerorë e dolomite të mesozoikut. Pjesa më e ulët e L. deri në 500-600 m, në të dy krahët përbëhet nga flishi e molasa, ku janë shumë të përhapura rrëshqitjet e tokës, sidomos në zonën e Jonufrës. Në gëlqerorët e dolomitet janë zhvilluar proceset karstike. Pjesa e ulët e shpatit P të L., afërsisht nga 1. i Tragjasit në Ujin e Ftohtë përbën zonën kodrinore të Jonufrës (shih), e cila që nga v. 1966 u shpyllëzua nga shkurret, duke u kthyer në një nga zonat më të mëdha të republikës të mbjella me agrume, ullinj e drurë të tjerë frutorë. L. është e veshur kryesisht me shkurre mesdhetare, në pjesën më të lartë me bredha mesdhetarë e më pak me pishë. Ka kullota të pasura dimërore e verore. Shpati P duke rënë pjerrët mbi gjirin e Vlorës formon një nga pjesët më piktoreske të bregdetit shqiptar, Rivierën e Vlorës, me gjire të vegjël, plazhe zallore, shkëmbinj të mbiujshëm, që e bëjnë qendër të rëndësishme turistike.

(Me. K.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Lungara


[cite]