Maksim Çuko
shqiptar ortodoks Maksim Çuko (1967-2004) ka lindur më 10 korrik 1967 në fshatin Fier i Ri të rrethit të Lushnjës. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në Krutje. Në 7 shkurt 1992 deri më 15 maj 1992 kreu Seminarin Teologjik Hieratik të Durrësit dhe më 13 nëntor 1992 niset për studime në Athinë. Në vitin shkollor 1992- 1993 mbrojti greqishten në Klubin Universitar “Leski” të Athinës, ndërsa në vitet 1993- 1998 ndoqi studimet teologjike në Universitetin Kombëtar “Kapodistria” të Athinës në degën e Teologjisë Sociale. Që nga viti 1998 e në vazhdim ka qenë lektor në lëndën e Pimantikës dhe të Greqishtes në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në Shën Vlash të Durrësit. Gjatë viteve 1998-1999 ka qenë iniciatori i formimit të organizatës së rinisë ortodokse “Bijtë e Dritës” në Lushnje. Me interesimin e tij janë zhvilluar shumë aktivitete. Më 1 shkurt 1999 transferohet në Tiranë. Disa nga botimet e Maksimit: 1-Pimantika Sociale. (Dispensë) 2-Pimantika Bashkëkohore. (Dispensë) 3-Enoria si bashkësi terapeutike. (Përkthim) 4-Qytetërimi dhe Krishterimi në Myzeqe, botimet “Tekno Paper”. Tiranë 2004. Gjithashtu teologu Maksim Çuko ka redaktuar disa libra fetarë, ka botuar artikuj në gazetën “Ngjallja” dhe ka përgatitur emisione radiofonike. Ai ka ditur të përfaqësojë me dinjitet Kishën Ortodokse në shumë aktivitete. Që nga viti 1999 ka qenë drejtues i veprës misionare dhe pimantike të Akademisë Teologjike. Ka krijuar disa grupe katekizmi në Fier, Rrogozhinë, Divjakë, Kombinat, Jubë etj. Në vitin 2004 mori bekimin dhe një shkresë nga K.O.A.Sh-i për të hulumtuar dhe grumbulluar materiale në Institutin e Historisë, të cilat kishin të bënin me kishat dhe manastiret e Myzeqesë. Dëshirën për të vazhduar udhën plot kryqe të fesë, Maksimi e kishte nga daja i tij Atë Sotir Boçi, i cili ka qenë famulltar në Kishën e Shën Kollit në Krutje të Lushnjës. Më 19 nëntor 2004 Maksim Çuko u nda nga jeta duke lënë në pikëllim bashkëshorten, fëmijët, të afërmit, studentët dhe kolegët, të cilët aq shumë e donin dhe e respektonin. Ai u largua nga kjo botë duke na lënë imazhin e njeriut të drejtë dhe fjalëpakët, kurdoherë besnik e shpirtëror.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Andrea Llukani, Ndërroi jetë teologu Maksim Çuko, Ngjallja, dhjetor 2004, faqe 9.