MALI I HEKURAVE


MALI I HEKURAVE
✤ Mal në Alpet Shqiptare në rrethin e Tropojës, me lartësi 2561 m. Shtrihet midis luginës së mesme të Valbonës në VL, pellgut të Tropojës në JL dhe pellgut të Nikaj-Mërturit në JP. Nga VP, nëpërmjet qafës së Droçes lidhet me Grykat e Hapëta, kurse nga JP qafa e Kolçit e ndan nga mali i Kores së Mërturit. Ndërtohet tërësisht prej gëlqerorësh e dolomitesh të triasit. Cirqet e shumta akullnajore, që shtrihen gati në të gjithë anët e tij, i kanë dhënë majës një formë të mprehtë piramidale dhe zbresin shkallë-shkallë në luginën e Motinës nga VL, në lugun e përroit të Liqenit nga JL dhe lugun e përroit të Selbicës nga P. Majat kryesore të tij janë ajo e Alshinës (2295 m), Maja e Zezë (2424 m) dhe Maja e Dhive (2332 m). Mbi 1700-1800 m është krejtësisht i zhveshur (ka vetëm kullota alpine), kurse nën këtë lartësi rritet ahu e më pak rrobulli.

(Gj. G.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Mali I Hekurave


[cite]