MALIGKADI
✤ Ishull i vogël i pabanuar në liqenin e Prespës së Madhe, ku në shek. XIV është ngritur një kishë brenda një guve shkëmbore. Është e përmendur për ansamblin me piktura bizantine të stilit paleolog. Piktura në fasadë e veçanërisht portreti monumental, i vendosur përballë rindërtuesit të kishës, princit Çezar Novak të plakur, i modeluar nga natyra me ngjyra të buta piktorike, shënon një nga arritjet më të larta të pikturës bizantine të kohës. Skenat dinamike të brendisë, kompozimet dramatike që shpërfaqen në muret dhe qemerin e kishës me kontraste të forta të ngjyrave blu e të kuqe si «Puthja e Judës», «Fjetja e Shën Mërisë» janë gjithashtu vepra që i përkasin v. 1369 dhe dorës së po atij piktori anonim, që ka stolisur më 1385 me afreske kishën e Shën Thanasit në Kostur, dhe më 1390 kishën e Ristozit të Mborjes. Ansambli dëshmon për gjallërimin e jetës artistike të feudalëve të vegjël pas vdekjes së car Stefan Dushanit (v. 1355) në kohën e principatave të pavarura shqiptare.
(Dh. Dh.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Maligkadi
[cite]