MAMURRASI
✤ Qytet në rrethin e Krujës, në P të vargmalit Krujë-Dajt. Është qytet i ri i shpallur në vitin 1970. Popullsia 4960 banorë. Në varësi të tij administrative janë edhe fshatrat: Fushë-Mamurras, Dukagjini i Ri, Kodër Thumana, Sukthi Vendas e Shllinza. Dëshmohet që më 1431 me emrin Marmur. Vendi ku është sot qyteti më parë quhej Shperdhet, i veshur me shparth (pyje). Më 1923 shoqëria kapitaliste «Inag» nisi shfrytëzimin e lëndës drusore, që transportohej nëpërmjet dekovilit në Patok, nga eksportohej. Pjesa më e madhe e zonës ka qenë pyll e këneta, që janë bonifikuar pas Çlirimit. Shllinza ka 2 hidrovore. M. gjatë viteve të pushtetit popullor ndryshoi rrënjësisht. Është qendër e NB «Skënderbeu», e cila kultivon grurë, misër, sojë, luledielli. Është e zhvilluar pemëtaria dhe ka një numër të madh vreshtash. NB ka rendimente të larta në grurë, mesatarisht 56-60 kv/ha deri në 80 kv/ha. Është ndërtuar kompleksi i gjedhit në Shllinzë. Qyteti ka shkollë të mesme bujqësore, shkollë 8-vjeçare, shtëpi kulture, kinema, grup folklorik, rrjetin tregtar e komunal. Në qendër është ngritur një bust i Skënderbeut.
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Mamurrasi
[cite]