MARRËVESHJET ITALO-SHQIPTARE


MARRËVESHJET ITALO-SHQIPTARE
✤ (TË MARSIT 1938). Marrëveshje ekonomike-financiare dhe politike-ushtarake që qeveria e Romës nënshkroi më 19 mars me qeverinë zogiste të kryesuar nga Mehdi Frashëri. Ato çuan në nënshtrimin e mëtejshëm të Shqipërisë nga Italia dhe përgatitën truallin për agresionin fashist^të prillit 1939. Në bazë të tyre qeverisë shqiptare i jepeshin disa hua me një shumë të përgjithshme prej 40 milionë fr. ari, të cilat e lehtësuan disi gjendjen katastrofike financiare-ekonomike të saj; pezullohej për 5 vjet pagesa vjetore e borxhit të SVEA-s. Një marrëveshje e veçantë midis shtetit shqiptar dhe shoqërisë AIPA parashikonte që kjo e fundit të ngrinte në Shqipëri një rafineri të naftës, gjë që nuk u vu në jetë. Si shpërblim për këto «ndihma», Italia siguroi mundësinë për të rritur ndërhyrjen në ekonominë shqiptare e në sferat e tjera. Në fushën e marrëdhënieve tregtare ajo bëri një hap të rëndësishëm drejt monopolizimit të tregtisë së jashtme të Shqipërisë. Krahas marrëveshjeve ekonomike-financiare midis të dy palëve u nënshkruan edhe marrëveshje të fshehta politike e ushtarake. Në bazë të tyre ushtria shqiptare kalonte nën kontrollin e organizatorëve italianë. Numri i efektivit të ushtrisë u përcaktua sipas interesave italiane dhe buxheti ushatrak u financua nga Italia. Marrëveshjet parashikonin edhe ndërtime për qëllime strategjike, në radhë të parë rregullimin e skelës së Durrësit. Në bazë të tyre u rihapën edhe shkollat private të klerit katolik për të lehtësuar depërtimin e ideologjisë fashiste. Marrëveshjet e marsit 1936 i vunë qeverisë «liberale» të Mehdi Frashërit vulën e një qeverie antikombëtare. Ato shkaktuan pakënaqësi e zemërim të thellë në masat popullore dhe u dënuan edhe nga opinioni i huaj përparimtar. (V. K.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Marrëveshjet Italo-Shqiptare


[cite]