MARTANESHI


MARTANESHI
✤ Zonë gjeografike në rrethet e Matit, të Tiranës dhe Dibrës. Kufizohet në V nga lugina e Bulqizës, në L nga Golloborda në J nga Çermenika, në P nga Mali me Gropa. Majat më të larta janë: maja e Dhoksit (2020 m), e Trigjeprave (1774 m), Kaptina e Martaneshit (1870 m) etj. Përbëhet kryesisht nga shkëmbinj magmatikë ultrabazikë (pjesa L) e nga gëlqerorë të mesozoit (pjesa P). Relievi i M. është tepër i copëtuar dhe i thyer (sidomos ana P), ndërsa ana L ka reliev më të butë. Degët e shumta të Matit kanë formuar lugina të ngushta në trajtën e kanioneve. Në pjesën P ka shumë hinka e gropa karstike, kurse në pjesën L forma akullnajore (lugje e cirqe). M. ka dimër të ftohtë e verë në përgjithësi të freskët. Bien mbi 1600 mm reshje në vit, një pjesë në formën e dëborës. Ka pasuri të mëdha ujore, Bimësia është shumë e pasur dhe përbëhet kryesisht nga pyje halorësh (pishë), ahesh dhe dushqesh, në lartësitë e maleve ka edhe kullota alpine. Nga kafshët e egra ndeshet ariu, derri i egër, gjeli i egër, si dhe lauresha me brirë, si shpend i rrallë. Në M. gjenden edhe disa vendburime xeherorësh kromi që nxirren në Krastë, Batër, Thekën etj. Qendrat kryesore të banuara janë Peshku, Gjoni, Staveei, Vali, Lena etj. Kohët e fundit është ndërtuar për minatorët qyteti i ri i Krastës. Sot M. është kthyer në zonë të rëndësishme ekonomike të vendit, për shfrytëzimin e pyjeve, nxjerrjen e xeherorit të kromit, në rritjen e blegtorisë së imët, kultivimin e patates, drurëve frutorë (mollë, kumbulla etj).

(P. Q.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Martaneshi


[cite]