MARTESA
✤ Bashkim i lirë, i vullnetshëm dhe i qëndrueshëm i një burri dhe i një gruaje, që bazohet në dashurinë, ndihmën dhe respektin e ndërsjellë të bashkëshortëve, në barazinë e plotë të të drejtave, që ka për qëllim krijimin e familjes. Lidhet në bazë të ligjit para organeve shtetërore (këshillit popullor) dhe lind për bashkëshortët të drejta dhe detyrime. Mosha më e ulët sipas ligjit në RPSSH është 18 vjeç për burrin dhe 16 vjeç për gruan. Në RPSSH «Martesa dhe familja janë nën kujdesin dhe mbrojtjen e shtetit dhe të shoqërisë» (neni 49 i Kushtetutës). Kodi i familjes ndalon: M. me një person që është i martuar me një tjetër; M. ndërmjet të paralindurve dhe të paslindurve, ndërmjet vëllait e motrës, ungjit e mbesës, emtës e nipit, ndërmjet fëmijëve të vëllezërve e të motrave etj. M. si dukuri shoqërore ka karakter historik. Deri në prag të Çlirimit vepronin norma e zakone që, në përgjithësi, përcaktoheshin nga marrëdhëniet patriarkale, • feudale, borgjeze dhe mikroborgjeze. Të përhapura kanë qenë fejesat qysh në fëmijëri, M. me diferencë të madhe moshe, M. me pajë të madhe etj. Këto zakone ishin më të theksuara në disa zona malore të vendit. Në qytete dhe në rrethinat e tyre, veçanërisht në Shqipërinë J e JL, vihej re një farë largimi nga rregullat tradicionale dhe, për lidhjen e M., pyeteshin edhe të rinjtë, sidomos djemtë. Fejesa shoqërohej nga marrëveshja e të dy palëve për detyrimet ekonomike. Legalizimi i lidhjes me krushqi të dy familjeve shpallej me këmbimin e nishaneve. Në disa krahina «brenda fisit», M. ishte e ndaluar. Ndalesë martesore përbënin edhe lidhjet rituale (kumbaritë e ndryshme, vëllamëria). Deri në çerekun e parë të shek. XX ka pasur edhe shfaqje të leviratit e të sororatit. Në traditat e M. ndikim të ndjeshëm ka ushtruar edhe feja. Shumë zakone ishin të gërshetuara me norma të së drejtës kanonike e të sheriatit. Pas Çlirimit marrëdhëniet martesore ndryshuan rrënjësisht. Nëpërmjet një pune të gjatë e luftës kundër zakoneve prapanike është arritur te M. e shëndoshë, e qëndrueshme, në bazë të njohjes, të pëlqimit të lirë e të hapët të çiftit e të dashurisë së pastër, të zhveshur nga nënshtrimet e pronës private dhe të psikologjisë së saj. M. e reja nuk paraqiten kudo njëlloj. Ende vihen re M. me ndërmjetësi, me shpenzime të tepërta, me pajë të madhe etj. Në ndonjë krahinë ka ende shfaqje si mbeturina të zakoneve të ekzogamisë dhe të M. jashtë fshatit. Forcimi i mëtejshëm i përmbajtjes dhe i formës socialiste të M. është një kujdes i vazhdueshëm i gjithë shoqërisë. Për ruajtjen e një familjeje të shëndoshë shërben edhe e drejta e zgjidhjes së M. Zgjidhja e M. është marrja fund, me vendim gjyqësor të formës së prerë e marrëdhënieve martesore-familjare, në të gjallë të bashkëshortëve me kërkesën e njërit ose të dyve. M. mund të zgjidhet kur për shkak grindjesh të vazhdueshme, të keqtrajtimeve, fyerjeve të rënda, shkeljes së besnikërisë bashkëshortore etj., marrëdhëniet bashkëshortore janë tronditur aq thellë sa jetesa e përbashkët është bërë e padurueshme dhe M. ka humbur qëllimin e saj. M. quhet e zgjidhur nga dita kur vendimi merr formë të prerë.
(K. B. -A. Do.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Martesa
[cite]