MARTINI NDOC
✤ (1880-1917). Piktor e vizatues i periudhës së rilindjes kombëtare. Lindi në Shkodër, talenti . i tij u shfaq që në moshë të njomë. Në shkollën e qytetit, më 1898 u ekspozuan punimet e tij të para, që gjetën jehonë edhe në shtypin lokal. Me këmbënguljen e Kol Idromenos shkoi për të vazhduar shkollën në Itali. Pasi qëndroi dy vjet në Romë, u regjistrua në kolegjin arbëresh të Shën Dhimitër Koronës, ku vijoi të merret me pikturë. Tavani i njërës prej sallave të kolegjit është i pikturuar me afreske të N.M., që paraqesin pamje qytetesh, figura të shquara të kulturës botërore si dhe një autoportret interesant. Këtu punoi edhe portrete të njerëzve të vendit. Njihet «Portreti i gruas arbëreshe*. Pas disa vjetësh shkoi të studionte pikturë në Paris, i thirrur nga një pretendent për fronin e mbretit të Shqipërisë, i eili e braktisi. Për të përballuar jetesën, punoi pranë një piktori francez. Gjatë kësaj kohe bëri një portret të madh të Skënderbeut, i cili pati tërhequr vëmendjen e shtypit, por u dogj në Panairin ndërkombëtar të Stambollit më 1913. Punoi gjithashtu portrete, peisazhe e vizatime, ndërmjet të cilave portretin e doktor Prelës (1916, Galeria e Arteve Tiranë), një nga krijimet më të arrira të piktorit dhe më të shquara të Rilindjes Kombëtare, si dhe një radhë vizatimesh me tema patriotike, të përhapura në riprodhime e të botuara në shtypin shqiptar të kohës. Vdiq në Paris në moshë të re, i sëmurë e i varfër. Një pjesë e madhe e veprave të tij mbeti jashtë atdheut e shumë kanë humbur. Ruhen fare pak punime të N. M. tek ne, ku duket niveli i lartë artistik profesional i autorit.
(F. Hu.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Martini Ndoc
[cite]