MASAKRA E MANASTIRIT


MASAKRA E MANASTIRIT
✤ (1830). Një ndër veprimet gjakatare e më të pabesa të Portës së Lartë, të kryera në Shqipëri për të nënshtruar lëvizjen shqiptare për vetëqeverisje. Menjëherë pas vrasjes së Ali pashë Tepelenës, shumica e feudalëve të Shqipërisë së J u hodhën në kryengritje për të arritur vetëqeverisjen e vendit. Veçanërisht gjatë luftës ruso-turke (1828-1829) ata arritën t’ua hiqnin nga duart efektivisht pushtetin funksionarëve osmanë. Në këtë gjendje të rrezikshme për sundimin e saj në Shqipëri, Porta e Lartë pas paqes së Edrenesë ngarkoi kryeministrin Mehmet Reshid pashën që të merrte masa për t’i hequr kryengritjes udhëheqësit e saj ipë aktivë, Iliaz bej (Zylyftar) Podën, Asllan bej Puçen dhe Veli bej Jaçen. Sadrazemi i ftoi ata të vinin në Manastir gjoja për të biseduar për çështje ushtarake dhe për pagesat e prapambetura të ushtarëve shqiptarë. Asllan beu dhe Veli beu, me një varg bejlerësh të tjerë dhe me truprojat e tyre, gjithsej afër 1500 veta, e pranuan ftesën. Zylyftar Poda që e njihte urrejtjen e sadrazemit ndaj shqiptarëve dhe pabesinë e tij, nuk shkoi. Pas pritjes së të ftuarve plot nderime, u zhviUua një stërvitje e reparteve të rregullta të ushtrisë, gjatë së cilës njëri prej tyre me urdhër hapi zjarr. Veliu, Asllani e shumë të tjerë ranë të vrarë, pjesa tjetër u masakrua ose u kap rob. U vranë dhe u varën rreth 1000 veta, ndërsa 400-500 të tjerë u dënuan me burgim të përjetshëm. M. e M. shkaktoi tronditje të madhe në Shqipëri e jashtë, njëkohësisht i shtyu feudalët e tjerë të bashkoheshin me kryengritjen e Mustafa pashë Bushatlliut (1831). Një masakër e ngjashme, me përpjesëtime më fë vogla, u bë po më 1830 në Janinë.

(S. N.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Masakra E Manastirit


[cite]