MPIKSJA E GJAKUT

Nëse gjaku nuk do të kishte aftësinë të mpiksej (të koagulonte), edhe plaga më e vogël do të ishte vdekjeprurëse, sepse prej saj do të rridhte i gjithë gjaku.

Mpiksja e gjakut është një proces i ndërlikuar, në të cilin marrin pjesë jo më pak se katër lëndë: kalciumi, nga njëra anë, dhe tri proteina nga ana tjetër (fibrinogjeni, protrombina dhe tromboplastina). Sapo pritemi në një vend dhe gjaku hyn në kontakt me ajrin, këto lëndë bashkëveprojnë me njëra-tjetrën dhe krijojnë një lëndë të re që quhet fibrinë. Kjo e fundit formon një rrjetë me fije të holla e të dendura, e cila i ndalon rruazat e gjakut që të dalin jashtë; ato grumbullohen në buzët e plagës, duke krijuar kështu një tapë që e mbyll atë.

Mbi këtë tapë më pas, organizmi formon inde të reja, që riparojnë dëmtimin, ndërsa lëkura fillon të mbyllet mbi plagën e shëruar.

Mpiksja e gjakut është një dukuri shumë e ndërlikuar, sepse kërkon bashkëpunimin e shumë elementeve. Mjafton që një nga këto elemente të mungojë, që mpiksja të mos realizohet plotësisht. Njihen në fakt disa sëmundje të tilla. Hemofilia është një ndër to. Te njerëzit që vuajnë nga hemofilia edhe plaga më e vogël shkakton një hemorragji të vërtetë. Në kohën e kaluar hemofilia ishte një sëmundje shumë e rrezikshme. Njerëzit që vuanin nga kjo sëmundje, tregonin kujdes të madh që të mos pësonin gërvishtjen më të vogël. Por sot mjekësia e kohës sonë ka krijuar mjete për të ndaluar hemorragjitë edhe në ato raste kur gjakut i mungon ndonjë nga elementet që kryejnë mpiksjen e tij.

Trupi — Ynë

[cite]