METALURGJIA


METALURGJIA
✤ Degë kryesore e ind. së rëndë që merret me përftimin e metaleve nga xeheroret ose nga lëndë të tjera metalmbajtëse, si dhe me përpunimin e metaleve dhe të lidhjeve të tyre për t’i bërë të përshtatshme për qëllime të ndryshme përdorimi. Në varësi nga mënyra e përftimit të metaleve M. ndahet në pirometalurgji e elektrometalurgji, në varësi nga metalet që përftohen ndahet në M. e zezë ose siderurgjinë (e hekurit, kromit e manganit) dhe në M. e metaleve me ngjyra (ku përfshihen gjithë metalet e tjera). M. ka qenë njohur që në lashtësi në trevat shqiptare. Të përmendur si minatorë e metalurgë kanë qenë sidomos pirustët (shih)) të cilët shkrinin bakrin, prodhonin bronz etj. Me gjithë pasuritë xeherore të vendit dhe traditat M. nuk u zhvillua si ind. e madhe. Para Çlirimit, kishte vetëm disa shkritore të vogla e primitive për shkrirjen e gizës, si dhe një uzinë të vogël për shkrirjen e bakrit në Rubik, e cila u dëmtua rëndë nga okupatorët gjatë Luftës ANÇ. Menjëherë pas Çlirimit (1946) u rindërtua dhe u vu në punë Uzina e bakrit në Rubik (shih), e cila më vonë (1952, 1971) u rikonstruktua dhe u zgjerua disa herë. Më 1964 u vu në shfrytëzim Uzina e bakrit në Kukës (shih), ndërsa në 1965

u zgjerua më tej M. e metaleve me ngjyra, me vënien në shfrytëzim të një uzine për shkrirjen dhe rafinimin e bakrit në Rubik. Më 1969 u vu në punë uzina e telave dhe e kabllove prej bakri në Shkodër. Më 1979 nisi prodhimin edhe uzina pirometalurgjike e bakrit në Laç, si bazë e tretë e shkrirjes së bakrit në vendin tonë, që zgjeroi më tej M. e metaleve me ngjyra. Më 1982 prodhimi i bakrit blister kundrejt v. 1960 e 1970 ishte rritur përkatësisht 11,9 herë dhe rreth 2 herë. M. e zezë (siderurgjia) mori zhvillim të madh me vënien në shfrytëzim më 1976 të furrnaltës së parë të Kombinatit Metalurgjik «Çeliku i Partisë», që u zgjerua dhe vazhdon të zgjerohet me përfundimin e uzinave e linjave të reja të këtij kombinati. Më 1979 u vu në shfrytëzim Uzina e Ferrokromit në Burrel (shih), që i hapi rrugë prodhimit të ferrolidhjeve në vend. Në zhvillimin e M. kanë dhënë ndihmesë Hajredin Kumbaro, Xhavit Hatibi, Pavllo Koço, Ndue Zef Përdeda etj. Tani M. e vendit prodhon disa dhjetëra marka çeliqesh të zakonshme e konstruksioni me karbon si dhe çeliqe të lidhura, që plotësojnë një pjesë të mirë të nevojave të vendit. Ajo prodhon gjithashtu bakër blistër e bakër elektrolitik, lloje të shumta të telave e kabllove prej bakri, bronz, tunxh, selen, ferrokrom si dhe karbonat bazik të nikelit nga i cili do të nxirret nikel elektrolitik e kobalt në uzinën e re të nikelit e kobaltit që është në ndërtim e sipër në Kombinatin Metalurgjik «Çeliku I Partisë*. (shihi edhe: Industria e hekur-nikelit, Industria e bakrit.)

(H. K.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Metalurgjia


[cite]