MIDHJA
✤ (Mytilus galloprovincialis Lamk.) Kafshë ujore jokërbishtore e familjes së butakëve (Mytilidae). Ka guaskë në trajtë pyke me dy kapakë që hapen e mbyllen ritmikisht. Në pjesën e përparme ka ngjyrë të zezë e manushaqe të errët, në anën barkore kafe në manushaqe. Ka dy muskuj «lidhës», ndërsa nën guaskë dy fletë që mbulojnë gjithë trupin e M. Jeton kudo në detin Mesdhe e detrat përreth. Në Shqipëri M. rritet në bregdet, me një përqendrim më të madh në liqenin e Butrintit, ku shtohet artificialisht. Shumëzohet 2-3 herë në vit nga nëntori deri në prill. Një M. me gjatësi 7-8 cm lëshon 7-8 milionë vezë, që pllenohen në ujë. Ushqehet duke filtruar ujin e pasur kryesisht me fitoplankton. Kripshmëria më e mirë për zhvillimin e M. është 24-28 për mijë kripë. Vlera ushqimore e M. është e madhe, sidomos në pranverë e verë. Përdoret e freskët dhe e konservuar.
(N. R.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Midhja
[cite]