10.5 Migjeni dhe Lasgush Poradeci, lajmëtarët e bashkëkohësisë
Gjergj Fishta dhe shkolla shkodrane përfaqësonin rrjedhën kryesore të letërsisë
shqiptare deri në Luftën e Dytë Botërore – krijuese, novatore e njëherazi tradicionaliste. Fishta
e kishte ngritur letërsinë e këtij vendi të vogël të Ballkanit në një nivel më të lartë artistik, në atë
nivel që vendet më të përparuara të Evropës e kishin pasur në gjysmën e dytë të shekullit të
nëntëmbëdhjetë dhe në vitet e para të shekullit të njëzetë. Në vetvete ky ishte një hap përpara në
pikëpamje të konsolidimit të vonuar të Shqipërisë si shtet dhe të zhvillimit të ngadaltë politik e
kulturor. Por kjo periudhë e letërsisë shqiptare deri diku po i humbte lidhjet me realitetin e
shtetit të pavarur shqiptar në vitet 1930.
Rrugës drejt bashkëkohësisë, pra edhe drejt Evropës, do t’i hynin dy poetë të një brezi të
ri, dy ‘outsider’, që u shkëputën nga letërsia tradicionale dhe i dhanë kulturës shqiptare vendin
e vet në Evropën bashkëkohëse: mesianiku Migjeni dhe panteisti Lasgush Poradeci.
Me Migjenin22 (1911-1938), akronim i Millosh Gjergj Nikollës, nis rrugën e vet poezia
bashkëkohëse shqiptare. Migjeni lindi në Shkodër më 13 tetor 1911. I ati, Gjergj Nikolla (1872-
1924), vinte nga një familje ortodokse me prejardhje nga Dibra dhe kishte një kafene në
Shkodër. Më 1900 Gjergj Nikolla u martua me Sofia Anastas Kokoshin (1881-1916), e cila
lindi katër vajza, Jelenën (Lenkën), Jovankën, Cvetkën e Ollgën, dhe dy djem, Nikollën (1901-
1925) dhe Milloshin (Mirko). Mirkoja i vogël ndoqi shkollën fillore ortodokse serbe në
Shkodër, dhe nga 1923 deri më 1925 një shkollë në Tivar në bregdetin malazez, ku ishte
shpërngulur motra e madhe Lenka. Në vjeshtë të vitit 1925, katërmbëdhjetëvjeçari Mirko fitoi
një bursë për të ndjekur shkollën e mesme të Manastirit në Maqedoni. Ky qytet i larmishëm
etnikisht, jo larg kufirit me Greqinë, duhet ta ketë tërhequr njëfarësoj të riun shqiptar nga
Shkodra e largët, ngaqë aty u njoh jo vetëm me shqiptarë nga pjesë të ndryshme të Ballkanit,
por edhe me studentë maqedonas, serbë, arumunë, turq e grekë. Duke qenë edhe me prejardhje
sllave, ai nuk u mbyll brenda kufijsh nacionalistë, por do të bëhej një nga të paktët autorë
shqiptarë që do të lidhte dy anët e hendekut kulturor, që ndante dhe po ndan shqiptarët dhe
serbët. Në Manastir ai studioi sllavishten e vjetër kishtare, rusishten, greqishten, latinishten dhe
frëngjishten. Pasi përfundoi shkollën më 1927, hyri në Seminarin Ortodoks të Shën Gjon
Theollogut, edhe ky në Manastir, ku me gjithë problemet shëndetsore që po i lindnin vazhdoi
studimet deri në qershor 1932. Mirkoja lexonte çdo libër që i binte në dorë e sidomos letërsi ruse, serbe dhe frënge, që i shijonte më shumë se teologjinë. Vitet në Manastir e ballafaquan me
polarizimin Lindje e Perëndim, nga njëra anë, me shpirtin sllav të Nënës së Shenjtë Rusi e të
sllavëve të jugut, të cilin e ndeshte në veprat e Fjodor Dostojevskit, Ivan Turgenievit, Lev
Tolstoit, Nikolai Gogolit dhe Maksim Gorkit; dhe, nga ana tjetër, me autorë të kritikës sociale
të Perëndimit që nga Zhan Zhak Rusoi, Fridrih Shileri, Stendali dhe Emil Zola e deri te Epton
Sinkleri, Xhek Londoni e Ben Traveni.
Me kthimin në Shkodër më 1932, pasi nuk arriti të fitojë bursë për të studiuar në
‘Përndimin e mrekullushëm’, Mirkoja vendosi t’i hyjë karrierës së mësuesisë e jo të priftit, për
çfarë kishte studiuar. Më 23 prill 1933 u caktua mësues i gjuhës shqipe në një shkollë në fshatin
Vrakë me popullsi malazeze, shtatë kilometra larg Shkodrës. Në këtë kohë ai fillon të shkruajë
poezi dhe skica në prozë, që pasqyrojnë jetën dhe ankthin e një intelektuali në ngritje, të një
vendi që ishte dhe ka mbetur rajoni më i prapambetur në Evropë. Prozën e parë e shkroi në maj
1934. Ishte Sokrat i vuejtun a po derr i kënaqun, që u botua në revistën Illyria, nën akronimin
e ri Migjeni. Në verë 1935, njëzetetrevjeçari Migjeni u sëmur rëndë nga tuberkulozi, të cilin e
kishte marrë më parë. Ai vajti në korrik në Athinë për kurim kundër kësaj sëmundjeje që ishte
një epidemi e përhapur në ultësirat bregdetare kënetore të Shqipërisë asokohe. U kthye në
Shkodër pa ndonjë përmirësim. Në vjeshtë 1935 u transferua për një vit në një shkollë në
qytetin e Shkodrës dhe, përsëri në revistën Illyria, nisi të botojë vjershat e tij të para që bënë
epokë. Në një letër të datës 12 janar 1936 shkruar Skënder Luarasit (1900-1982) në Tiranë,
Migjeni njoftonte, “Unë jam gati t’i lëshoj në shtyp kangët e mia. Tue qenë se Ju, kur ishit këtu,
më premtuet se do ta merrni përsipër me folë me ndoj botonjës, si për shembull me
Gutembergun, unë tashi po Ju kujtoj at gja tue Ju thanë se jam gati.” Dy ditë më pas Migjenit iu
dha transferimi që kishte kërkuar për në qytetin malor të Pukës, dhe më 18 prill 1936 nisi punën
si kryemësues i një shkolle, që e gjeti në një gjendje të keqe. Ajri i pastër i malit i bëri mirë për
shëndetin, por skamja dhe mjerimi i fiseve malësore në Pukë e përqark ishin shumë më të rënda
sesa të banorëve të fushës. Shumica e fëmijëve vinin në shkollë zbathur e pa ngrënë, kurse
mësimi ndërpritej për periudha të gjata për shkak të shpërthimit të sëmundjeve ngjitëse, si fruthi
dhe shytat. Pas tetëmbëdhjetë muajsh të vështirë në male, poeti tuberkuloz u shtrëngua t’i japë
fund karrierës si mësues e si shkrimtar, e të kërkojë trajtim mjekësor në Torino, ku e motra
Ollga qe studente për matematikë. Më 20 dhjetor 1937 u nis nga Shkodra dhe mbërriti në
Torino para Krishtlindjeve. Ai shpresonte që, pasi të merrte veten, të ndiqte studimet në
Fakultetin e Arteve. Por zgjidhja për shërimin e tuberkulozit do të gjendej tepër vonë për
Migjenin, pikërisht pas një dekade. Pas pesë muajsh në sanatoriumin San Luixhi afër Torinos,
Migjeni u transferua në spitalin Valdesian në Torre Peliçe (Torre Pellice), ku dhe vdiq më
26 gusht 1938. Vdekja e tij në moshën njëzet e gjashtë vjeç qe një humbje tragjike për letërsinë
bashkëkohëse shqiptare.
Migjeni ka shkruar rreth njëzet e katër skica në prozë, të botuara nëpër revista kryesisht
nga pranvera e vitit 1934 deri në pranverën e vitit 1938. Ato shkojnë nga një deri në pesë faqe,
prandaj janë tepër të shkurtra për të qenë rrëfenja apo tregime. Këto skica, që nga pikëpamja
letrare nuk mund të quhen të gjitha vepra të mëdha arti, pasqyrojnë preokupimet ideore
kryesore të Migjenit: mjerimin dhe vuajtjet. Ai ngre zërin kundër urisë, mjerimit dhe
padrejtësisë që mbretëron përreth tij duke akuzuar me zemërim të thellë e sarkazëm. ‘Heronjtë’
e këtyre skicave, më bindëset ndër të cilat ndoshta janë Një refren i qytetit tem, Moll’ e
ndalueme, A do qymyr, zotni?, Luli i vocërr, Bukuria që vret dhe Puthja e cubit, janë lypësit,
vjedhësit e vegjël që kapen duke vjedhur gjësendi për të ngrënë, gra të poshtëruara, prostituta
dhe foshnja që vuajnë.
Më 31 dhjetor 1936 Migjeni përfundoi edhe një dorëshkrim me titull Novelat e qytetit
të veriut, që mbeti i pabotuar. Përveç një numri skicash që i përmendëm, ai përmbante pesë
tregime më të gjata (deri në njëzet e pesë faqe), përsëri me temën e mjerimit. Ndër to janë Studenti në shtëpi, një rrëfim me shtysë autobiografike për një student shqiptar që kthehet nga
jashtë e që i duhet të pajtohet me karakterin çnjerëzor dhe imoral të vlerave sociale tradicionale,
Historia e njenës nga ato, karriera e vajtueshme e një prostitute, dhe Bukën tonë të përditshme
falna sot, një tregim klasik migjenian për skamjen dhe urinë.
Migjeni pati një fillim premtues si prozator, sidomos në trajtim temash të reja me një
forcë artistike dhe demaskuese të paparë deri atëherë. Vepra e tij është me vite dritë larg
romantizmit kombëtar mbizotërues për kaq shumë dekada në letërsinë shqiptare. Por vdekja e
parakohëshme e preu në mes përfundimisht këtë premtim për të ardhmen.
Migjeni i kishte edhe të gjitha parakushtet për të qenë poet i madh: forca depërtuese,
natyra pesimiste depresive dhe seksualiteti i shtypur. Edhe pse krijimtaria në poezi nuk është
më e vëllimshme se ajo në prozë, suksesi i tij në lëmin e poezisë është më i dukshëm. Vëllimi
i vetëm poetik i Migjenit, Vargjet e lira, Tiranë 1944, u krijua gjatë një periudhe trevjeçare, nga
1933 deri më 1935. Një botim i parë i kësaj përmbledhjeje të vogël por revolucionare, gjithsej
tridhjetë e pesë vjersha, u shtyp në Shtypshkronjën Gutemberg në Tiranë më 1936 por, u ndalua
menjëherë nga autoritetet dhe nuk qarkulloi kurrë. Botimi i dytë më 1944, i ndërmarrë nga
Kostaq Cipo (1892-1952) dhe e motra e poetit Ollga, pati fat më të mirë. Megjithatë, atij i
mungojnë dy vjersha, Parathanja e parathanjeve dhe Blasfemi, të cilat botuesi Ismail Mal’
Osmani mendoi se mund të fyenin kishën. Ndërkaq botimi i vitit 1944 përfshiu tetë vjersha të
tjera, të shkruara nga autori pasi botimi i parë kishte hyrë në shtyp.
Tema kryesore e librit Vargjet e lira, si dhe e prozës së Migjenit, është mjerimi dhe
vuajtjet. Ajo është poezia e një dëshpërimi dhe vetëdije sociale të mprehtë. Ndërsa brezat e
mëparshëm të poetëve u kishin kënduar bukurive të maleve shqiptare dhe traditave të larta të
kombit, Migjeni ishte i pari që pa realitetin e vrazhdë të jetës, shkallën tronditëse të mjerimit,
skamjen dhe sëmundjen që vërente kudo përreth. Ai ishte poet i dëshpërimit që nuk shihte
rrugëdalje, që nuk kishte shpresë, sepse vetëm vdekja mund t’i jepte fund kësaj vuajtjeje. “Vuej
bashkë me fëminë të cilët prindi nuk ja bleu lojnën, vuej bashkë me të riun që digjet n’erotizëm,
vuej me pesdhetëvjeçarin që mbytet n’apatinë e jetës, vuej me plakun që dridhet nga friga e
vdekjes, vuej me bujkun që lufton me tokë, vuej me puntorin të cilin hekuri e ndrydh, vuej me
të sëmundët të gjithë sëmundjeve të krejt botës… Vuej me njeriun!”23 Tipike për vuajtjen dhe
për kotësinë e përpjekjeve njerëzore për Migjenin është Rezignata, një vjershë në ciklin më të
gjatë të kësaj përmbledhjeje,
Kangët e mjerimit:
“Na shprehun të ngushlluem gjetme në vaj…
Mjerimet i morme në pajë
Me jetë… se kjo botë mbarë
Ndër gji t’Univerzumit âsht një varrë,
Ku qenja e dënueme shkrrahet rrshân
Me vullnet të ndrydhun në grusht të një vigan’.
– Një sy i stolisun me lot të kulluet së dhimbes së thelltë
Ndritë nga skâji i mjerimit,
E ka-i-herë një refleks i një mendimit të hjedhtë
Veton rreth rruzullimit
Shfrimin me gjetë mnís së vet të mnertë…
Por kreu varet, syn’ i trishtuem mbyllet
E nga qerpiku një lot i kjart shtyhet
Rrokulliset nga ftyra, bje në tokë e thrrimet,
E ndër thrrimet e vogla të lotit ka një njërí lindet.
Seicili prej tyne n’udhë të fatit të vet niset
Me shpresë në ngadhnim mâ të vogël, përshkon të gjitha viset
Kah rrugët janë të shtrueme me ferra e rreth të cilave shifen
Vorret të shpërlamë me lotë e të marrët që zgërdhihen.”
Kjo është një tablo e zymtë e ekzistencës mbi dhe e mbushur me netë të errëta, lot, tym,
ferra dhe baltë. Rrallë herë kalon nëpër këtë terr ndonjë puhi e freskët apo ndonjë pamje e
madhërishme e natyrës. Kur natyra shfaqet në vargjet e Migjenit, atëherë ajo natyrisht shfaqet
vetëm si një vjeshtë, si në vjershën Vjeshta në parakalim:
“Vjeshtë në natyrë dhe vjeshtë ndër ftyra t’ona.
Afshon erë e mekun, lëngon i zymtë dielli,
Lëngon shpirt’i smum ndër krahnore t’ona,
Dridhet jet’e vyshkun ndër gemba të një plepi.
Ngjyrët e verdha losin në vallen e fundme –
(Dëshirë e mârrë e gjethve që një nga një vdesin!)
Gëzimet, andjet t’ona, dëshirat e fundme
Nepër balta të vjeshtës një nga një po shkelin.
Një lis pasqyrohet në lotin e qiellit,
Tundet dhe përgjaket në pasjon të vigânit:
“Jetë! Jetë unë due!” – e frymë merr prej fellit,
Si stuhi shkynë ajrin… por në fund i a nisë vajit.
Dhe m’at vaj bashkohet horizont’ i mbytun
Në mjegullë përpîse. Pemët, degët e lagun
Me vaj i mshtjellin në lutje – por kotë! E dinë të fikun
Se nesër do vdesin… Vall! A ka shpëtim ndokund?!
Mallëngjehet syni, mallëngjehet zêmra
N’orën e vorreses, kur heshtin damaret,
E vorri naltohet nën qiella mâ t’epra
Me klithëm dëshprimi që në dhimbë të madhe xvarret.
Vjeshtë në natyrë dhe vjeshtë ndër ftyra t’ona.
Rrënkoni dëshirat fëmitë e jetës së varfun;
Rrënkoni në zije, qani mbi kufoma
Që stolisin vjeshtën nepër gemba të thamun.”
Nëse nuk ka shpresë, ka të paktën dëshira të ndrydhuna. Disa vjersha, si Të birtë e
shekullit të ri, Zgjimi, Kanga e rinis dhe Kanga e të burgosunit janë haptas deklamative në një
mënyrë revolucionare majtiste. Këtu zbulojmë një Migjen paraardhës të poezisë socialiste ose,
në fakt, në kulmin e poezisë së vërtetë socialiste në letërsinë shqiptare, shumë kohë para së
ashtuquajturës periudhë të ‘çlirimit’ e të socializmit nga 1944 deri më 1990. Megjithatë, Migjeni
nuk ishte poet socialist ose revolucionar në kuptimin politik, me gjithë revoltën dhe grushtin e
shtrënguar që na tregon nganjëherë. Për këtë atij i mungonte optimizmi si dhe një farë ndjenjeje
e angazhimit për veprimin politik. Migjeni ishte produkt i viteve tridhjetë, i një kohe kur
intelektualët shqiptarë, ndër ta edhe ai vetë, i tërhiqte shumë Perëndimi, Evropa Perëndimore,
ku ideologjitë rivale të komunizmit dhe fashizmit po ndesheshin për herë të parë në Luftën Civile të Spanjës. Migjeni ishte i ndikuar edhe nga filozofia e së djathtës që po lindte. Në Të
lindet njeriu, e sidomos, në ditiramb niçean, në Trajtat e mbinjeriut, vullneti i tij i ndrydhur e i
copëtuar shndërrohet në “një dëshirë të flakët për një gen të ri”, për ardhjen e Mbinjeriut:
“Ndoshta ka me zbardhun…
Një agim i pritun, dit’ e parathanun.
N’ardhmeni të trash’gueme Mbinjeriu vrehet,
Ndërgjegjë pa dyshime,
Ndërgjegjë pa trillime,
Me një grusht graniti që kurr nuk do thehet.
Një sfings i madhnueshëm, Mbinjeriu i ardhshëm,
Pa zêmër, pa ndjenja,
Syt e tij rrufena –
Qarkullojnë rreth rruzllit tue synue vrânshëm.”
Një shoku trockist, Andrea Stefit (1911-1963), i cili e kishte paralajmëruar se
komunistët nuk do ta falnin për vjersha të tilla, ai iu përgjigj: “Vepra e eme ka karakter luftarak
edhe praktikisht, për kushtet e veçanta tonat, duhet me manovrue, pra disa herë edhe në mënyra
të maskueme. Unë s’mund t’ua shpjegoj këto grupeve [komuniste]. Ata duhet t’i kuptojnë vetë.
Qarkullimi i veprës sime diktohet nga imperativi i etapës shoqërore që po kalojmë. Për veten
teme unë e quej veprën teme si një kontribut për bashkimin e këtyre rretheve. Në rrnosha edhe
pak, Andre, vepra e eme, konspektivisht do kryhet.”24
Kisha për Migjenin ishte një pjesë e ‘sistemit’ që ai e mendonte se i kish lënë në harresë
vuajtjet e njerëzimit dhe ishte pikërisht ajo përgjegjëse për to. Shkollimi fetar i Migjenit dhe
mësimi për prift ortodoks duket se kanë qenë krejtësisht të kundërfrytshme, sepse ai as nuk
ushqente ndonjë prirje ndaj fesë as ndonjë ndjenjë të ngrohtë ndaj kishës së organizuar. Zoti për
Migjenin nuk ishte tjetër veçse një gjigant me grushte graniti që dërrmon vullnetin e njeriut.
Dëshmi të neverisë për Zotin dhe kishën gjenden në dy vjershat e papërfshira në botimin e vitit
1944, Parathanja e parathanjeve, me thirrjen plot dëshpërim “Perëndi! Ku je?”, dhe Blasfemi:
“Notojnë xhamiat dhe kishat nëpër kujtime tona,
E lutjet pa kuptim e shije përplasen për muret e tyne
Dhe nga këto lutje zemra zotit ende s’iu thye,
Por vazhdoi të rrahi ndër lodra dhe kumbona.
Xhamiat dhe kishat madhshtore ndër vende tona të mjerueme…
Kumbonaret dhe minaret e nalta mbi shtëpia tona përdhecke…
Zani i hoxhës dhe i priftit në një kangë të degjenerueme…
O pikturë ideale, e vjetër një mijë vjeçe!
Notojnë xhamiat dhe kishat nëpër kujtime të fetarve.
Tingujt e kumbonës ngatrrohen me zanin e kasnecit,
Shkëlqen shejtnia mbi zhguna dhe ndër mjekra të hoxhallarve.
O, sa engjuj të bukur përpara derës së ferrit!
Mbi kështjellat mijvjeçare qëndrojnë sorrat e smueme,
Krahët i kanë varë pa shpresë – simbojt e shpresave të humbuna
Me klithma të dëshprueme bajnë fjalë mbi jetë të përndueme,
Kur kështjellat mijvjeçare si xhixha shkëlqejshin të lumtuna.”
Në poezinë Kanga skandaloze Migjeni shpreh një joshje të sëmurë ndaj një murgeshe të
zbehtë e njëkohësisht kundërshtimin e mospranimin e botës së saj.
“Një murgeshë e zbetë, që bashkë me mkatet e botës
Barë dhe mkatet e mija mbi supat e vet të molisun,
Mbi supat e verdhë si dylli që i ka puth hyjnija
– kaloj rrugës së qytetit si êjll e aratisun.
Një murgeshë e zbetë, e ftoftë si rrasa e vorrit,
Me sy boj-hîni si hîni i epsheve të djeg’na të gjallesës,
Me buzë të holla të kuqe, dy gajtana pshertimet që mbysin
– m’a la der’ vonë kujtimin, kujtimin e ftoftë të kalesës.
Prej lutjesh (jo tallse!) duel dhe në lutje prap po shkon…
Lutjet i flejnë gjithkund: ndër sy, ndër buzë, ndër gishta.
Pa lutjet e saja bota kushedi ç’fat do kishte?
Por dhe nga lutjet e saja ende s’i zbardhi drita.
O murgeshë e zbetë që çon dashní me shejtent,
Që n’ekstazë para tyne digjesh si qiriu pranë lterit
Dhe u a zbulon veten… Cmirë u a kam shejtenvet!
Mos u lut për mue, se due pash më pash t’i bij ferrit.
Unë edhe ti murgeshë, dy skâje po të një litari,
Të cilin dy tabore i a ngrehin njeni-tjetrit –
Lufta âsht e ashpër dhe kushedi ku do të dali,
Prandaj ngrehet litari edhe përplasen njerzit.”
Kjo vjershë është nga ato që na ndihmojnë të hedhim dritë jo vetëm mbi qëndrimin e
Migjenit ndaj fesë, por edhe mbi njërin nga aspektet më tërheqëse e më pak të studiuara të jetës
së poetit, mbi ndjesitë seksuale të tij më se të shtypura. Erotizmi sigurisht asnjëherë nuk ka qenë
tipar i dukshëm i letërsisë shqiptare në ndonjë periudhë dhe do të ishte tepër e vështirë të
përmendnim ndonjë autor shqiptar që të ketë shprehur dëshirat dhe impulset e tij intime në
prozë apo poezi. Migjeni i afrohet erotizmit, ndonëse në një mënyrë të pavetëdijshme.
Mendohet se poeti ka mbetur i virgjër deri në vdekjen e parakohshme në moshën njëzet e
gjashtë vjeç. Në vjershat dhe prozat e tij kemi me bollëk figura grash, mjaft prej tyre prostituta
fatkeqe, për të cilat Migjeni shpreh keqardhje dhe interesim seksual së bashku. Janë sytë e
përlotur dhe buzët e kuqe që e tërheqin, ndërsa pjesa tjetër e trupit nuk përshkruhet kurrë. Për
Migjenin, edhe seksi është vuajtje:
“Ato dy buzë të kuqe
Dhe dy lote të mija
Qenë shenjat e dhimbjes
Kur më vrau bukurija
Kur më zû dashunija
E më dogji rinija.”
Pasioni dhe epshi janë kudo të pranishëm në poezinë e Migjenit, por po aq i pranishëm
është edhe spektri i intimitetit fizik të pasqyruar në formën e brengës dhe neverisë. Ja një nga
pamjet e shumta shtazarake të mjerimit, ajo që përshkruhet në poezinë me 105 vargje Poema e
mjerimit:
“Mjerimi tërbohet në dashuni epshore.
Nepër skâje t’errta, bashkë me qejë, mijë, mica,
Mbi pecat e mbykta, të qelbta, të ndyta, të lagta
Lakuriqen mishnat, si zhangë, të verdhë e pisa,
Kapërthehen ndjenjat me fuqí shtazore,
Kafshojnë, përpijnë, thithen, puthen buzët e ndragta,
Edhe shuhet ûja, dhe fashitet etja
N’epshin kapërthyes, kur mbytet vetvetja,
Dhe aty zajnë fillin të mârret, sherbtorët dhe lypsat
Që nesër do linden me na i mbushë rrugat.”
Sa përpara bëri befas letërsia shqiptare e sa u largua nga folklori i vjetër dhe
artificializmat e Çajupit dhe Fishtës! Edhe pse nuk botoi as edhe një libër të vetëm sa qe gjallë,
veprat e tij, që qarkulluan dorë më dorë ose në shtypin e kohës, patën një sukses të
menjëhershëm. Migjeni çau rrugën për një letërsi bashkëkohore, por që do të mbytej që në
embrion. Madje po atë vit që u botua vëllimi Vargjet e lira, fitoi në Shqipëri stalinizmi. Të
shumtë janë ata që kanë bërë pandehma për ndihmesën që do të jepte Migjeni nëqoftëse do të
kishte jetuar më gjatë. Kjo është një pyetje që mbetet tepër hipotetike, sepse ky zë individualist
i protestës së vërtetë sociale pa dyshim do të pësonte fatin e shumë shkrimtarëve me talent të
fundit të viteve ’40. Vdekja e hershme e ruajti të paktën të paprekur këtë shkrimtar.
Fakti që Migjeni iku kaq i ri, e bën vlerësimin kritik të veprës së tij të vështirë. Edhe pse
përgjithësisht i adhuruar, Migjeni nuk ka mbetur pa kritikë. Disa janë zhgënjyer nga proza e tij,
po as gama e poezisë së tij nuk është e mjaftueshme që të na japë të drejtë ta quajmë poet
universal. Arshi Pipa ka vënë në dyshim edhe vetë zotërimin e gjuhës shqipe prej poetit, kur
thotë: “I lindur shqiptar në një familje me prejardhje sllave, pastaj i shkolluar në një mjedis
kulturor sllav, ai përsëri pati kontakt me Shqipërinë dhe me gjuhën e kulturën shqipe si i rritur.
Gjuha që fliste në shtëpi ishte serbo-kroatishtja, kurse në seminar mësoi rusishten. Ai nuk e
dinte shqipen mirë. Shkrimet e tij janë plot gabime drejtshkrimi, madje edhe mjaft elementare,
kurse sintaksa e tij është larg sintaksës tipike të shqipes. Çka qëndron për italishten e Italo
Svevos qëndron edhe më fort për shqipen e Migjenit25”. Kritikët stalinistë të pasluftës në
Shqipëri pa u thelluar e kanë shpallur Migjenin pararendës të realizmit socialist, ndonëse nuk
kanë qenë në gjendje të analizojnë shumë anë të jetës e të veprës së tij, e sidomos pesimizmin
e tij shopenhauerian, simpatinë për Perëndimin, seksualitetin e tij të shtypur dhe elementin
niçean, veçanërisht të dukshëm në vjershën Trajtat e mbinjeriut, që për ‘komoditet’ është lënë
jashtë disa botimeve të poezisë së tij pas luftës. Ndërkohë që kritikëve të tillë u ka ardhur për
mbarë me kënaqësi ta vështrojnë Migjenin si pjellë të Shqipërisë zogiste ‘para çlirimit’, ndjen
dhimbje kur sheh qartë se ‘kangët e pakëndueme’ të poetit, pas dyzet e gjashtë vjetësh diktature
të proletariatit, janë akoma më aktuale se kurrë ndonjëherë.
“O kangët që fleni reliktet e mija
Q’ende s’keni prekun as një zêmër të huej,
Vetëm unë me ju po kënaqem si fëmija
Unë – djepi i juej, ndoshta vorr’i juej.”
Rrugën drejt bashkëkohësisë në letërsinë shqiptare e mori edhe një poet tjetër, i cili
gjysmë shekulli më pas do të konsiderohet nga shumë vëzhgues si poeti më i madh i Shqipërisë
në shekullin e njëzetë: Lasgush Poradeci26 (1899-1987). Ky shkrimtar vdiq më 1987 në
moshën tetëdhjetë e shtatë vjeç. Vitet e fundit të jetës i kaloi në qytetin e tij të dashur të
Pogradecit buzë liqenit të Ohrit, duke u përkujdesur për kopshtin e vet à la Candide dhe duke
soditur si ndërronin stinët në liqen. Valëvala e butë dhe ritmike e ujërave të liqenit kishte qenë
gjithmonë një ndër burimet kryesore të poezisë së tij panteiste.
Lasgush Poradeci, pseudonim i Llazar Gushos, ka lindur në Pogradec më 27 dhjetor
1899, siç duket. Ai ndoqi një shkollë të gjuhës rumune në Manastir, Maqedoni, nga 1909 deri
1916. Në mes të Luftës së Parë Botërore, i ati, me gjithë marrëdhëniet e ndera midis shqiptarëve
dhe grekëve në Shqipërinë juglindore në atë kohë, e dërgoi Llazarin e mitur në Greqi për të
vazhduar shkollën, por me kusht që ajo të mos ishte në gjuhën greke. Prandaj Llazari u
regjistrua në Lycée des Frères Maristes, shkollë në gjuhën frënge në Athinë, ku qëndroi deri më
1920. Për arsye shëndetësore, dy vitet e fundit të qëndrimit në Greqi nuk i kaloi në shkollë, por
në një sanatorium, ndonëse në një gjendje të dëshpëruar financiare. Atje vajti me ndihmën e
Sofia Shlimanit, që ishte e veja greke e arkeologut të famshëm gjerman Hajnrih Shliman
(Heinrich Schliemann, 1822-1890). Pa u shëruar plotësisht, Llazari njëzetedyvjeçar u përjashtua
nga sanatoriumi para kohe më 1920, pasi u kap in flagranti me një infermiere. Vitin tjetër
poetin e ri e gjejmë në Bukuresht, tek i vëllai. Llazari dëshironte të studionte në Akademinë e
Arteve të Bukura, por doli se nuk qe e lehtë për t’u regjistruar, sepse qeveria rumune, në atë valë
antisemitizmi që ishte ngritur, kishte vënë kufizime për studentë nga çdo kombësi jorumune.
Megjithatë, pas disa mundimesh, arriti të regjistrohej. Qëndrimi i poetit në Bukuresht do të
kishte një ndikim vendimtar për të ardhmen e tij letrare. Këtu u njoh e u miqësua me poetin
romantik Asdreni (1872-1947), të cilin e zëvendësoi si sekretar të kolonisë shqiptare më 1922,
me tregimtarin Mitrush Kuteli (1907-1967) dhe me mjaft shkrimtarë rumunë. Gjithashtu nisi të
botojë poezi në organe shtypi në gjuhën shqipe, ndër të tjera në Shqipëri’ e re, një e përjavshme
kombëtare e ilustruar që botohej në Konstancë, dhe në Dielli të Bostonit. Poezia e tij e kësaj
periudhe po shfaqte tashmë një farë afrie teosofike me poetin lirik rumun Mihai Eminesku
(1850-1889).
Një bursë nga qeveria e Fan Nolit më 1924 i dha mundësinë të vazhdonte studimet
jashtë. Poradeci shpresonte të studionte nën albanologun austriak Norbert Jokl (1877-1942).
Doli se katedra qe e zbrazët në atë kohë, prandaj Poradeci vazhdoi Universitetin e Gracit në
Austrinë juglindore, ku u regjistrua në fakultetin e filologjisë romane e gjermane. Kaloi dhjetë
vjet në Grac. Siç pohon poeti, kjo periudhë ishte koha më e mirë e jetës së tij. Në maj 1933
mbrojti doktoratën me një disertacion mbi Der verkannte Eminescu und seine volkstümlichheimatliche
Ideologie (Eminesku i pavlerësuar dhe ideologjia e tij popullore vendëse). Vitin
tjetër Poradeci u kthye në Shqipëri dhe punoi si mësues në një shkollë të mesme në Tiranë, ku
dhe jetoi gjatë luftës. Nga viti 1944 deri më 1947, vitet e para të turbullta të sundimit komunist,
ai ishte i papunë dhe banoi me të shoqen në Tiranë, me rrogën e vogël të saj si mësuese. Pasi
punoi për pak kohë në Institutin e Shkencave, pararendës i Akademisë së Shkencave të
Shqipërisë, gjeti punë si përkthyes letërsie në shtëpinë botuese shtetërore ‘Naim Frashëri’, ku punoi pa u ndier derisa doli në pension më 1974.
Lasgush Poradeci është autor i dy përmbledhjeve të jashtëzakonëshme me poezi. Vallja
e yjve dhe Ylli i zemrës, të botuara në Rumani përkatësisht më 1933 dhe 1937. Ato janë vërtet
një revolucion në poezinë shqiptare po aq sa ç’ishte përmbledhja e Migjenit Vargjet e lira.
Vallja e yjve u shtyp në shtypshkronjën Albania në Konstancë me fonde të mbledhura më 1932
me ndihmën e Asdrenit e të një grupi studentësh shqiptarë në Bukuresht. Ajo përmban vjersha
të shkruara e të botuara së pari në vitet 1921-1924. Vëllimi i dytë, i botuar me ndihmën e mikut
të Poradecit, prozatorit Mitrush Kuteli, përmban jo vetëm krijime të mëvonëshme, por edhe
mjaft nga vjershat e botimit të vitit 1933 të ripunuara. Kjo përmbledhje është sintezë e
krijimtarisë më të mirë lirike të tij, ku gjejmë disa nga poezitë më melodioze, më të punuara në
metrikë, të shkruara në gjuhën shqipe. Ja një shembull me notë melankolike:
“Fluturoj dhe shtërg’ i fundit, madhështor, me shpirt të gjorë
Dyke shkuar që me-natë sipër malesh me dëborë…
Iku rënd’ e i përmallshmë, dhe me sqep të ti të fortë
Zotëriut q’i la folezën i trokiti mun në portë…
Pra më s’duket shpes’ i fatit prapa bujqësh edhe plorësh,
Prapa brazdës së rrëxuar hap-me-hap prej qe malorësh;
Më s’dëgjohet nër ugare të kërcasë miu i hirtë,
Vdiq nepërka pikëlore ndaj blatisht’ e shkretëtirtë.
Dheri-i mardhur prej thëllimi dirgjet heshtur nënë brymë,
Fryn veriu në pyll të thatë me zembrim e me fërtymë,
E si shtohet cinërima… ja! se ku dinak dh’ i voçërr
Nëpër gardhe-e nëpër ferra dërdëllet gazmor një çoçër!…
O! sa hir që kishte shtërgu, aq fisnik me shtat të gjorë,
Kur bariste dal-nga-dale – posi dhëndër me kurorë!…
E kur pranë-i vinte krilla, që shëndrij më kraharuar,
Me sy lart, me hap të matur – posi vash’ e nusëruar!…”
Vendi i Poradecit në letërsinë shqiptare nuk është përcaktuar kurrë në mënyrë të
kënaqshme. Ngjasonte pak me bashkëkohësit si romantikun Asdren, politikun Fan Nol dhe
mesianikun Migjen. I mbrujti letrat shqiptare me një element ekzotik të panteizmit mistik, duke
sjellë atë çka ai e quante metafizikë të harmonisë krijuese. Cili poet tjetër shqiptar i kohës do
t’ia kushtonte energjitë e veta studimit të sanskritishtes për të kuptuar vedat? Poezia e Poradecit
hedh një urë metafizike nga gjendjet shpirtërore të rënda të ekzistencës tokësore në sferat e larta
të së madhërishmes, në burimin e të gjitha energjive krijuese. Një pjesë e mirë e saj është poezi
e gjendjes shpirtërore dhe e çastit, si p.sh. Dimër:
“Shpirti im që sot u mbyll
Dhe gëzimin m’a përzuri.
Nëpër mal e nëpër pyll
Zu dëbora prej qëkuri.
Bjenë flokët një-nga-një
Mi katundin e shkretuar.
Dyke mardhur nënë të
Dheri fjet e ri mbuluar.
Fjet nga-dal e shpirti im,
Dhe në zi pikoj si fleta,
Pa më s’qit as pipëlim
Tërë fili, tërë jeta.
Në kaq heshtje-e qëtësi
Ndjej vajtimthin e një shpesi:
Psherëtin me zë të ti
Jet’ e trembur se mos vdesi…”
Në brendësi të thellësive të veprës së Lasgush Poradecit janë ujërat e liqenit të Ohrit.
Aty, në qytetin e Pogradecit, kaloi vitet e rinisë, jo larg nga ku rrëzë Malit të Thatë merr rrugën
lumi Drin, e jo më shumë se disa kilometra nga manastiri i famshëm mesjetar i Shën Naumit që
ndodhet tamam tek vija e kufirit. Po aty kaloi në pension verat e fundit të jetës, në një shtëpi
gjysmë të rrënuar me arkitekturë ballkanase, duke u kujdesur për kopshtin e duke çapitur
përgjatë bregut të liqenit me qenin nga pas. Në vjershën Poradeci, kushtuar qytetit të lindjes,
dhe natyrisht liqenit, vjersha tipike për mjeshtërinë e tij në punë të metrikës, ai shkruan:
“Perëndim i vagëlluar mi Liqerin pa kufir.
Po përhapet dal-nga-dale një pluhúrë si një hije.
Nëpër Mal e nër Lëndina shkrumb’ i natës që po bije,
Dyke sbritur që nga qjelli përmi fshat po bëhet fir…
E kudó krahin’ e gjërë më s’po qit as pipëlim:
Në Katund kërcet një portë… në Liqer hesht një lopatë…
Një shqiponjë-e arratisur fluturon në Mal-të-Thatë…
Futet zemra djaloshare mun në fund të shpirtit t’im.
Tërë fisi, tërë jeta, ra… u dergj… e zuri gjumi…
Zotëroj më katër anë errësira…
Po tashi:
Dyke nisur udhëtimin mes-për-mes nër Shqipëri,
Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shëndaumi…”
Liqeni i Ohrit vazhdimisht e tërhiqte dhe e magjepste poetin, çdo moment e çdo ditë. Ai
hetonte çdo nuancë, çdo pasqyrim të dritës në valët e në thellësitë e ujërave të tij llamburitëse,
dhe sodiste si binte mbi të hija e maleve përreth. Aty, në një varr të thjeshtë, që sheh nga ujërat
e liqenit, të cilit i kushtoi vjershën e pashoqe Mëngjes, prehet sot poeti.
“Si shpirt’ i zi në kraharuar,
U mbyll liqeri nënë male.
Ndaj fund’ i ti e pasqyruar,
Po shuhet nata me-nga-dale.
E shoh ku vdes e ku po vuan,
E syt’ e saj dyke pulitur;
E syt’ e saj q’u mavijuan,
Jan’ yjt’ e qjellit të venitur.
Tashi dh’ agimi llambaritës
Po svagullon në fund liqeri,
Po tretet tinës yll’ i dritës
Posi një sumbull prej sheqeri.
Pra ja! pra ja! se dita ndezi,
Se fund’ i ujit vetëtiti,
Se posi lajmëtar – mëngjezi,
Del zogu-i bardh’ i një nositi…”
Fëmijë eklektik i kohës së vet, Poradeci ishte dhe mbetet një nga paradokset e letërsisë
evropiane juglindore. Kritiku nga Kosova Rexhep Qosja ka thënë me vend për poetin se ai
“ndien si romantik, mendon si klasiçist, asht i vetmuem dhe i hermetizuem shpirtnisht si
simbolist dhe i kujdesshëm e fanatik ndaj formës së vargut si parnasist. Asht eklektik dhe
origjinal në çdo pikëpamje.”27
Përveç dy përmbledhjeve poetike kryesore Poradeci botoi poezi në revista letrare në
fund të viteve tridhjetë dhe dyzetë, sidomos në revistën e përmuajshme kulturore të Branko
Merxhanit Përpjekja shqiptare. Por me ardhjen e stalinizmit, pena e nderuar e Lasgushit do të
fillonte të shterronte. Edhe pse fshehurazi lëvdohej nga mjaft kritikë e specialistë, ky estet
romantik, pa ndonjë vlerë ideologjike për partinë, nuk gëzoi kurrë miratimin e dogmatikëve
marksistë të pasluftës. Ata nuk qenë në gjendje t’i kuptonin veprat e tij, kurse poeti vetë thuhet
se e kishte më lehtë të thyente lapsin sesa të shkruante atë lloj poezie që donin ‘ata’. Një numër
i pakët krijimesh dukeshin herë pas here në shtypin letrar të Tiranës, në Drita dhe në Nëntori,
të para me lente para botimit nga censorët partiakë, por fusha kryesore e veprimtarisë në
periudhën socialiste ishte, dashur pa dashur, ajo e përkthimit të poezisë, liman ky i sigurt për
heretikët letrarë. I zhytur vetë në heshtje, ai shqipëroi poezi nga Aleksandër Pushkini, Mihail
Lermontovi, Aleksandër Blloku, Adam Mickeviçi, Johan Volfgang fon Gëte, Hajnrih Hajne,
Lenau, Bertold Brehti, Viktor Hygoi, Alfred de Myse, Lord Bajroni, Robert Bërnsi, Persi Bishe
Sheli dhe Mihai Eminesku. Lasgush Poradeci vdiq në varfëri të plotë në shtëpinë e vet në
Tiranë me 12 nëntor 1987, duke pasur pranë vetëm dy vajzat e tij, Kostandina dhe Maria.
Përveç poezisë për natyrën dhe asaj me tone metafizike, të ripunuara e ribotuara në sa
e sa variante, Poradeci gjithashtu është autor i shumë vjershave për dashurinë, si dhe i disa
poezive me temë kombëtare, gjithsej rreth njëqind. I pëlqenin fjalët dhe shprehjet arkaike, por
gjente kënaqësi të veçantë edhe në neologjizma e në përqasje të reja të emrave për të krijuar
efekte të pazakonta. Në kohën e vet me to pati rezultat befasues e të mahnitshëm, e u pëlqye
menjëherë. Epoka e romantikës kombëtare, që ishte ushqyer nga një plejadë poetësh rilindës të
ndryshëm nga talenti, po vinte tani drejt fundit të vet.
Temat e Poradecit, struktura dhe gjuha e poezisë së tij harmonizoheshin mjaft me
letërsinë gojore të Shqipërisë së jugut, sidomos me poezinë popullore toske, nga e cila u
frymëzua shumë. Mitrush Kuteli, që i redaktoi librin Ylli i zemrës, e quajti “i vetëmi poet
shqiptar që mendon, flet e shkruan vetëm shqip.28” Lasgush Poradeci është njëherazi artist me
shtat të vërtetë evropian. Ai bashkërendonte ndjeshmërinë fjalësore të Sharl Bodlerit (Charles
Baudelaire, 1821-1867), filozofinë estetike të formës dhe elegancën e hollë të Stefan Georges
(Stefan George, 1868-1933), humanizmin dhe filozofinë e Naim Frashërit dhe pavdekshmërinë
kozmografike të mjeshtrit të tij, Mihai Eminesku. Studiuesi Eqrem Çabej (1908-1980) ka thënë se ai ishte “shkrimtar, të cilin Shqipëria do t’ia falë njëherë botës,29” ndonëse poezia e Poradecit
nuk përkthehet lehtë, koha mund ta provojë se Çabej ka pasur të drejtë.
________
2 kr. Pipa, 1945, 1971, Ejntrej 1973, Kraja 1973, Bala 1974, Jamura 1982, Fetiu 1984, Llunji 1990, Kadare 1991 dhe Idrizi 1992.
23 kr. Illyria, Tiranë, 1934, nr. 17, 1 korrik, f. 4; dhe Pipa 1978, f. 148.
24 kr. Nëndori, Tiranë, 1955, 11, f. 68; dhe Pipa 1978c, f. 150n.
25 kr. Pipa 1978c, f. 134.
26 kr. Çabej 1929, ribotuar 1986-1989, vëll. 5, f. 87-89, Kuteli 1938b, Maloku 1938, Qosja 1979, f. 135-177, Hamiti 1983, f. 257-274, Raifi 1986, f. 13-31 et passim, Kolevica 1987, 1988, 1992, Matraxhiu 1991a, Kabashi 1993a, dhe Lalaj 1995.
27 Qosja 1979b, f. 144.
28 Ylli i zemrës 1939, f. 152.
29 Gazeta e re, 22 shkurt 1929, f. 3.
Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia