MIKROBIOLOGJIA
✤ Degë e biologjisë, që merret me studimin e mikroorganizmave. Ndahet në M. mjekësore, ushqimore, veterinare, bujqësore, in~ dustriale etj. Në kushtet e prapambetjes në të kaluarën veprimtaria shkencore e mikrobiologëve shqiptarë si Refat Frashëri, Bilal Golemi është kryer më tepër jashtë vendit. Hapat e parë për zhvillimin e M. në Shqipëri u bënë në lëmin e shëndetësisë e veterinarisë me ngritjen e Laboratorit bakteriologjik të shtetit (1924) dhe Laboratorit bakteriologjik veterinar (1928). Zhvillim të vrullshëm M. mori pas Çlirimit. U ngritën laboratorë të tjerë dhe u krijuan institute kërkimore. Në shumë fakultete e degë të shkollave të larta jepen si disiplina shkencore të veçanta M. e përgjithshme, mjekësore, veterinare, bujqësore, teknike. Në laboratorët e shkollave të larta zhvillohet gjithashtu punë kërkimore-shkencore në fushat e ndryshme të M. Kërkesat e ekonomisë socialiste shtruan nevojën e krijimit të një vargu laboratorësh të analizave dhe të kërkimit mikrobiologjik edhe në mjaft institucione kërkimore e ndërmarrje të ind. e të bujqësisë. Me krijimin e Qendrës së Kërkimeve Biologjike të Akademisë së Shkencave të RPSSH u ngrit edhe Sektori shkencor i M. Ndër drejtimet e reja të kërkimeve në fushën e M. për t’i shërbyer zhvillimit të ekonomisë janë: rritja e pjellorisë së tokës nëpërmjet përmirësimit të proceseve mikrobiologjike të saj dhe përdorimit të plehrave bakteriale, luftimi i sëmundjeve të kafshëve me rrugë mikrobiologjike, futja e proeeseve të reja mikrobiologjike në industri, përsosja e proceseve ekzistuese për prodhimin e produkteve të reja (proteina, aminoacide, acide organike etj.) dhe ruajtja e produkteve bujqësore e industriale. M. mjekësore studion mikroorganizmat shkaktarë të sëmundjeve ngjitëse të njeriut, mënyrat dhe mjetet e luftimit të tyre në mjedis dhe në trupin e njeriut. Laboratori bakteriologjik i shtetit në Durrës u mor me përgatitjen e vaksinës kundër tërbimit. Më 1932 ai kaloi në Tiranë, ku nën drejtimin e Bajram Emirit, shtoi një numër të kufizuar ekzaminimesh për sifilizim dhe tifon e zorrëve. Pas Çlirimit në Tiranë u krijua Laboratori Mikrobiologjik Qendror. Në 1948-1949, përveç punës diagnostikuese filloi edhe puna profilaktike me studimin e vatrave të infeksionit, depistimin e bartësve, ekzaminimin e ujit etj., u hap Laboratori bakteriologjik në Qendrën sanitare epidemioiogjike të Tiranës, u ngritën laboratorë mikrobiologjikë në Durrës, Shkodër, Berat, Vlorë, Gjirokastër dhe Korçë. Sot të gjitha rrethet kanë laboratorët e tyre me mjekë specialistë. Laboratori Qendror në v. 1969 u kthye në Institutin e Higjienës dhe Epidemiologjisë dhe u krijua Laboratori mikrobiologjik i spitalit të Tiranës. Në fushën e M. veterinare kërkimet kryhen në Institutin e Kërkimeve Veterinare. Ndër studiuesit që kanë dhënë ndihmesë në M. mjekësore mund të përmenden Bajram Emiri, Luigj Benusi, Stefan Cilka etj.
(M.F.—S.C.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Mikrobiologjia
[cite]