MINERALOGJIA
✤ Shkenca që studion mineralet për të përcaktuar përbërjen kimike, ndërtimin e brendshëm, formën e jashtme, vetitë fizike, kushtet e formimit dhe të ndryshimit, përhapjen në natyrë, klasifikimin dhe rëndësinë praktike të tyre. Studime të shkëputura e josistematike mineralogjike për mineralet e shkëmbinjtë e Shqipërisë para Çlirimit janë kryer nga specialistë të huaj. Studimet e mirëfillta mineralogjike në Shqipëri filluan pas Çlirimit, për të mbështetur kërkimet dhe studimet gjeologjike në përgjithësi. Më 1952, në * Laboratorin qendror të gjeologjisë në Tiranë, filluan të kryhen studime të mineraleve të vendit, në fillim në rrugë kimike e optike, në vitet e mëvonshme edhe me metoda të tjera më të përparuara. U bënë analiza të përbërjes minerale të xeherorëve të vendburimeve dhe të shfaqjeve minerale, si dhe studime të përbërjes minerale të shkëmbinjve të ndryshëm, për njohjen më të thellë të ndërtimit gjeologjik të Shqipërisë. Sot ka disa laboratorë që kryejnë studime të mirëfillta mineralogjike me metoda bashkëkohore morfologjike, gjenetike, fizike, ki-. mike, fiziko-kimike e kristalokimike, si në Institutin e Studimeve e Projektimeve Gjeologjike në Tiranë, në Fakultetin e Gjeologjisë dhe të Minierave të UT, në Institutin e Studimeve e Projektimeve Gjeologjike të Naftës në Fier dhe në mjaft ndërmarrje gjeologjike e institueione të tjera të vendit. M. si disiplinë mësimore lexohet në mjaft degë të UT, si dhe në shkollat e mesme industriale të profilit gjeologji e miniera. Ndër studiuesit e sotëm në fushën e M. përmenden Stavri Burri, Aleksandër Çina etj. Në Muzeun e Shkencave të Natyrës në Tiranë ruhen koleksionet e mineraleve të vendit të ekspozuara në mënyrë sistematike.
(S. Bu.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Mineralogjia
[cite]