MINIERA E KROMIT TODO MANÇO BULQIZË
✤ Miniera më e rëndësishme e kromit në Shqipëri, në rrethin e Dibrës, që jep sasi të madhe prodhimi dhe me cilësi të lartë deri në 42-46% oksid kromi. Vendburimi është më i madhi i vendit. Trupi i kromit i rrudhosur dhe i ndarë në blloqe nga tektonika shkëputëse, ndodhet brenda shkëmbinjve ultrabazikë, kryesisht peridotitë dhe është i mbështjellë nga një këmishë duniti. Vendburimi u diktua nga një gjurmues popullor më 1940. Punimet e para u kryen nga një shoqëri koncesionare italiane, që u detyrua të ndërpresë punimet nga veprimet luftarake të hjësive partizane. Pas Çlirimit më 18.2.1948 u ngrit miniera dhe filloi nxjerrja e kromit. Pas krijimit të shërbimit gjeologjik në vitet ’50, u zgjeruan punimet e kërkimit, u zbuluan rezerva të konsiderueshme dhe nxjerrja e xeherorëve të kromit u shtua me ritme të larta. Në fillim u zbatua sistemi i shfrytëzimit me mbushje në pjesën e trupit xeheror afër sipërfaqes, duke përdorur galeri të shkurtra. Sot janë hapur traverbankë e galeri me gjatësi 2-3 km, puse vertikale 200-500 m të thella dhe përdoret gjerësisht sistemi i shfrytëzimit me galeri nënkati. Miniera ka shkallë të lartë mekanizimi, përdoren makina të rënda si elektrotërheqës 3-7 t, makina ngritëse vetëngarkuese etj. Ndihmon edhe minierat e reja me punëtorë të kualifikuar e specialistë të mjaft profileve. Në të ardhmen miniera do të zgjerohet e modernizohet më tej. Është projektuar hapja e një pusi 1000 m të thellë dhe e disa puseve të tjera 300-500 m. Do të rritet gjithashtu aftësia përpunuese e fabrikës së pasurimit pranë saj.
(M.C.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Miniera E Kromit Todo Manço Bulqizë
[cite]