MITROVICA


MITROVICA
✤ Qytet, qendër e komunës me të njëjtin emër në KSA të Kosovës (shih). Shtrihet në fushën e formuar nga prurjet e lumenjve Ibër, Sitnicë e Lushtë dhe në shpatet e kodrave që e rrethojnë. Sipas regjistrimit të vitit 1981 komuna kishte 105.097 banorë, nga të cilët 66. 618 (63,4%) ishin shqiptarë. Treva e M. ka qenë e banuar shumë kohë përpara lindjes së qytetit. Objektet më të vjetra, të zbuluara në Karagaç afër Zhitkovcit i përkasin periudhës së neolitit të vjetër. Këtu është zbuluar edhe një nekropol ilir i periudhës së bronzit. Pozita gjeografike dhe rezervat e plumbit e të argjendit në afërsi të Kopaonikut (Monte Argendarium) përcaktuan nivelin e lartë të zhvillimit ekonomik të kësaj treve në antikitet e në mesjetë. Edhe gjatë sundimit serb Trepça dhe Zveçani përmenden si qendra të rëndësishme ekonomike e strategjike. M. nis të zhvillohet si vendbanim nga shek. XV. Shumicën dërrmuese të popullsisë në shek. XVII e përbënin shqiptarët. F. Jukiqi (1852) vë në dukje se nga 350 shtëpi që ka pasur M. në atë kohë, vetëm 50 ishin serbe. Popullsia e M. dhe e trevës përreth ka dhënë një ndihmesë të shquar në luftën kundër sundimit osman dhe në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Përfaqësuesit e saj morën pjesë në kuvendin themelues të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. M. së bashku me krahinën e Llapit ishin qendrat kryesore të kryengritjes antiosmane të vitit 1910 dhe të Kryengritjes së përgjithshmë të vitit 1912 (shih). Organizatori dhe udhëheqësi i qëndresës antiosmane në këto vise ishte I. Boletini (shih). Pas aneksimit nga Serbia (1913) popullsia shqiptare e kësaj treve u gjend përballë shtypjes së gjithanshmpi7 shpërnguljeve masive dhe shpronësimit. Deri/më v. 1941 nga qarku i Mitrovicës ishin shpërngulur mbi 35.000 veta.M. dhe rrethet mbetën qendra të rëndësishme në luftën e armatosur për çlirimin e bashkimin kombëtar (1918-1928) kundër sundimit serb. Në vitet e Luftës II Botërore, okupatorët nazistë gjermanë për shkak të interesit që kishin për minierën e Trepçës e përfshinë M. në zonën e tyre të pushtimit. Atdhetarët më të shquar të popullsisë së M. të inkuadruar në çetat partizane dhe në radhët e Brigadës 6-të kosovare morën pjesë në luftimet për çlirimin përfundimtar të Kosovës dhe të popujve të tjerë të Jugosllavisë.

Pas Luftës II Botërore për shkak të pasurive minerare M. u bë një nga qendrat më të rëndësishme ekonomike të Kosovës. Miniera dhe kombinati metalurgjik «Trepça», janë ndër prodhuesit më të mëdhenj të plumbit e të zinkut në botë. Në M. janë ndërtuar fabrika e akumulatorëve, e elektrolizës së zinkut, si dhe ndërmarrjet e drurit dhe të materialeve të ndërtimit. Në M. gjendet Fakulteti i Xehtarisë e Metalurgjisë dhe Shkolla e Lartë Teknike e Universitetit të Kosovës, si dhe Muzeu i kristaleve e mineraleve të shumta të kësaj treve.

Pasuritë e shumta minerare të kësaj treve nuk përdoren për zhvillimin e Krahinës së Kosovës, por shfrytëzohen nga republikat e Veriut të Federatës Jugosllave.

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Mitrovica


[cite]