MJEDA NDRE


MJEDA NDRE
✤ (1866-1937). Poet i shquar dhe veprimtar patriot. Lindi në Shkodër në një familje të varfër të zbritur nga fshati Mjedë. Mësimet e para i ndoqi në Shkodër, më pas u dërgua për studime të mesme dhe të larta teologjike në disa vende në Evropë. Në fillim dha mësim në një shkollë të lartë fetare në Kroaci. I * dëbuar nga urdhri jezuit për mosbindje,

N. M. u kthye në atdhe ku u emërua famullitar në fshatra të ndryshme. U lidh që herët me lëvizjen patriotike. Më 1901 bashkë me të vëllanë themeloi shoqërinë «Agimi», e cila krijoi një alfabet dhe botoi një varg librash për shkollat mbi bazën e këtij alfabeti. Për veprimtari patriotike autoritetet osmane e arrestuan. Më 1908 në Kongresin e Manastirit u zgjodh anëtar i Komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes, ndërsa më 1916-1917 ishte anëtar i Komisisë Letrare. Në periudhën e hovit të lëvizjes demokratike (1920-1924) N. M. mori pjesë në jetën politike të kohës dhe u zgjodh deputet. Pas dështimit të Revolucionit Demokratiko-borgjez u tërhoq nga jeta politike dhe punoi si prift i thjeshtë në Kukël. Vitet e fundit ishte mësues i gjuhës shqipe në Shkodër dhe vdiq në këtë qytet. Veprimtarinë poetike N. M. e nisi që herët. Poema romantike e njohur Vaji i bylbylit u shkrojt më 1887; në të ndihen fryma patriotike dhe nota përmallimi, që shquanin paraardhësit e tij L. De Martinin, N. Bytyçin etj. Vepra përmbyllej me thirrjen drejtuar shqiptarit që të ngrihej për të fituar lirinë. Që nga kjo kohë e deri më 1917 kur pa dritën e botimit vëllimi me vjersha Juvenilia, N. M. shkroi, por nuk botoi gati asgjë. Të kësaj kohe janë poema tjetër romantike «1 tretuni», në të cilën është derdhur malli për atdheun, për njerëzit dhe natyrën e vendit me bukuritë e saj, vjersha «Shtegtari», «Malli për atdhe», «Gjuha shqype», «Bashkoniu!» etj. Krahas krijimeve të përshkuara nga notat elegjiake, N. M. hartoi edhe vepra poetike, në të cilat tema patriotike u trajtua në frymën e poezisë luftarake të Rilindjes, si Liria (1910-1911). Në të gjeti jehonë kryengritja e malësorëve të Shqipërisë së Veriut më 1911, qëndresa dhe aspirata e tyre e zjarrtë për drejtësi shoqërore dhe për tokë. Grishja e poetit që fshatarët të ngriheshin për t’u çliruar nga zgjedha e rëndë shoqërore, ndërthuret me besimin se lufta e vegjëlisë do të sjellë lirinë. Në këtë vepër gjeti pasqyrim demokratizmi i N. M., që përbën bashkë me patriotizmin, anën më të fortë të botëkuptimit dhe të krijimtarisë së tij. Vjersha «Mustafa Pasha në Babunë» fshikullon pavendosmërinë dhe qëndrimin e lëkundshëm të parisë feudale në luftë kundër zgjedhës së huaj. Në poemën e njohur Andrra e jetës nëpërmjet pamjeve poetike prekëse, autori zbuloi tragjedinë e malësorëve të varfër, që rronin në zgrip të jetës, mjerimin dhe padijen e madhe, ku ata ishin kredhur. Botën shpirtërore të personazheve të poemës, ndjenjat dhe mendimet e tyre, poeti i dha me mjete të kursyera dhe mjeshtëri. Fazës së dytë të krijimtarisë së N. M.. e cila nisi pas Luftës I Botërore, i përkasin poemat në tingëllima «Scodra» dhe «Lissus», ku, përmes historisë së lashtë të dy qyteteve evokohet e kaluara e hershme e popullit tonë, sidomos fryma luftarake dhe liridashëse e stërgjyshërve të tij, ilirëve. Duke vijuar në këtë kohë traditën e poezisë së Rilindjes Kombëtare, N. M. shprehu kështu mospajtimin e tij me regjimin reaksionar që sundonte vendin. Në prodhimin poetik të N. M., vend zënë edhe vjershat për fëmijë. La edhe disa shqipërime të goditura nga Gëtja, T. Grosi etj. Romantik në thelb, N. M bëri një hap përpara drejt realizmit, ai kishte kërkesa të larta dhe tregoi mjeshtëri të rrallë poetike N. M. dha ndihmesën e tij edhe në fushën e gjuhësisë. Puna e tij u zhvillua në gramatikë, leksikologji, filologji. Krijoi alfabetin që u zbatua prej shoqërisë «Agimi» me kriterin shkencor për çao tingull një shkronjë, duke përdorur shenjat diakritike. Dha ndihmesë të shënuar në lëvrimin e gjuhës letrare. Në historinë e gramatologjisë shqiptare janë për t’u përmendur Vërejtje mbi artikuj e premna pronës të gjuhës shqipe (1934), Mbi shqiptimin e qellzoreve ndër dialektet e ndryshme të gjuhës shqipe (1902). N. M. është ndër të parët gjuhëtarë shqiptarë që u morën me studimin dhe transkriptimin e veprave të letërsisë sonë të vjetër. Transkriptoi pjesërisht veprën e P. Bogdanit (1930) dhe të P. Budit (1932), shkroi për dialektin shqiptar të Istries (1932) dhe për Perikopenë e ungjillit të shek. XIV-XV (1933). (V. B.—J..K.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Mjeda Ndre


[cite]