MJETET E EDUKIMIT FIZIK
✤ Tërësia e ushtrimeve fizike dhe lojërat, sportet, gjimnastika e turizmi, që shërbejnë për zhvillimin e shëndoshë trupor dhe kalitjen e cilësive morale të njeriut. Ato janë pjesë e punës për zhvillimin e gjithanshëm të njerëzve në vendin tonë, të aftë për ndërtimin e socializmit dhe mbrojtjen, në veçanti për përgatitjen e brezit të ri. Ushtrimet fizike përfshijnë lëvizjet e thjeshta, ecjen, vrapimet, kërcimet, hedhjet etj. të përpunuara sipas kërkesave anatomofiziologjike e pedagogjike, dhe lëvizje më të ndërlikuara, që kërkojnë ngulitjen e shprehive të ndryshme, si lojërat me top, mundja, ngritja e peshave etj. Llojet e klasifikimit: 1) anatomik, sipas pjesëve të trupit; 2) fiziologjik, për zhvillimin e forcës, shpejtësisë, qendrueshmërisë, shkathtësisë e përkulshmërisë; 3) strukturor; 4) për rritjen e mjeshtrisë sportive. Grupet kryesore: ushtrime fizike të lojërave (shih edhe Lojërat popullore), ushtrimet fizike gjimnastikore (shih Gjimnastika), ushtrimet fizike të sportit (shih Sportet) dhe të turizmit (shih).
(D. L.—A. J.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Mjetet E Edukimit Fizik
[cite]