MJETET E TRANSPORTIT AUTOMOBILISTIK


MJETET E TRANSPORTIT AUTOMOBILISTIK
✤ Mjete që përdoren për transportin e njerëzve dhe mallrave. Para Çlirimit këto mjete ishin të pakta dhe importoheshin. Në vend bëhej vetëm mirëmbajtja e riparimi i tyre, si dhe në mënyrë artizanale bëheshin karroceri druri. Me fuqizimin e transportit autontobilistik (shih) pas Çlirimit u shtuan M. e T. A., u organizua mirëmbajtja dhe riparimi i tyre, dhe me rritjen e fuqizimin e ind. mekanike u prodhuan në vend shumica e pjesëve të ndërrimit për to. Më 1965 filloi edhe prodhimi në vend i M. të T. A. nga ofiçinat e automjeteve të Ministrisë së Komunikacionit. Atë vit u projektua dhe u ndërtua rimorkioja e parë për transportim mallrash me aftësi mbartëse 5 t në ofiçinën e automjeteve në Tiranë dhe më pas po aty u prodhuan rimorkio llojesh të ndryshme me aftësi deri 22 t. Më 1967 në Durrës u ndërtua rimorkioja e parë me aftësi 40 t për transportimin e makinave të rënda e me përmasa të mëdha. Më 1971 në Uzinën Mekanike Bujqësore të Durrësit (shih) filloi prodhimi në seri i rimorkiove me aftësi mbartëse 1.5 dhe 3 t për transportimin e produkteve bujqësore etj. Më 1982 u prodhuan edhe rimorkiot e para vetëshkarkuese. Më 1967 në Ofiçinën e automjeteve Shkodër (shih) filloi prodhimi i karrocerive metalike të llojeve të ndryshme për autobusë e për tipa të tjerë automjetesh dhe më 1970 prodhimi i autobusëve të llojeve të ndryshme, në kooperim me ndërmarrje të tjera të vendit. Aty prodhohen edhe karroceri për autofrigoriferë etj., si dhe kabina automjetesh.

(Q. K.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Mjetet E Transportit Automobilistik


[cite]