MOLLASI
✤ Fshat në rrethin e Elbasanit në krahinën e Sulovës, në bregun e majtë të lumit Devoll. Qendër e fshatit të bashkuar që përfshin edhe fshatrat: Banja, Floqi, Linasi, Lumasi, Qyrkani, Selvijasi, Klosi, Dragot-Sulova, Topojani, Kamunaku, Selita dhe Qafa. Vendbanim i lashtë që në shek. IV p.e.r.. Këshilli NÇ u krijua në nëntor 1943. Banorët kanë marrë pjesë gjallërisht në Luftën ANÇ. Koop. bujqësore u krijua në nëntor 1955 dhe më 1971 u përfshi në koop. e bashkuar me të njëjtin emër. Drejtimi kryesor i ekonomisë është prodhimi i drithërave të bukës, i bimëve industriale dhe rritja e bagëtive të imëta. M. ka shkollë të mesme bujqësore, muze, spital, njësi tregtare e komunale.

✤ Fshat në rrethin e Kolonjës, në varësi administrative të qytetit të Ersekës. Është qendër banimi e re, e ngritur më 1959 për punëtorët e NB «Nasi Vodica» dhe të minierës së qymyrgurit në Bezhan. NB ka drejtim kryesor të ekonomisë prodhimin e frutave, kryesisht të mollëve. M. ka shkollë të mesme bujqësore, vatër kulture, qendër shëndetësore, njësi tregtare e komunale.

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Mollasi


[cite]