MUSHKËRITË

Mushkëritë ndodhen në kafazin e kraharorit dhe janë organi më i madh dhe më i rëndësishëm i aparatit të frymëmarrjes. Mushkëria e djathtë është më e gjerë, pak më e shkurtër dhe ka vëllim më të madh se mushkëria e majtë, e cila është më e ngushtë dhe më e gjatë. Të dyja mushkëritë janë të veshura nga jashtë nga një cipë e hollë që quhet pleurë. Mushkëritë janë të buta dhe shumë elastike; ato në procesin e frymëmarrjes fryhen dhe shfryhen, e zmadhojnë dhe e zvogëlojnë vëllimin e tyre. Ato që formojnë mushkëritë e që përbëjnë pjesën më aktive të tyre e të të gjithë aparatit të frymëmarrjes janë hojëzat (alveolat) mushkërore.

Hojëzat mushkërore kanë formën e një vilëze rrushi. Çdo hojëz lidhet me një bronkiol (bronke të vogël). Pra, në çdo hojëz vjen ajri që njeriu e thith nga atmosfera.

Njëkohësisht çdo hojëz është e lidhur me një arterie dhe me një venë. Çdo arterie dhe çdo venë degëzohet në faqet e brendshme të çdo hojëze duke formuar një rrjetë të imët kapilare arteriale dhe venoze. Vena sjell në mushkëritë gjak të papastër, të ngarkuar me gaz karbonik, që formohet nga djegia e lëndëve ushqimore. Pikërisht në faqet e brendshme e të imëta të hojëzave, ndodh pastrimi i gjakut dhe shkëmbimi i gazeve, i gazit karbonik dhe i oksigjenit. Gjaku venoz lëshon gazin karbonik, i cili del jashtë bashkë me ajrin, kur ne nxjerrim frymë. Gjaku i pastruar nga gazi karbonik kalon në rrjetën kapilare të arterieve, thith oksigjenin e ajrit dhe i pasuruar me këtë gaz të ri kalon në zemër. Prej këtej ai shpërndahet në gjithë organizmin, për t’i shpënë çdo qelize oksigjenin dhe lëndët e,tjera të nevojshme. Në fakt ky është thelbi i gjithë procesit të frymëmarrjes: shkëmbimi i gazeve, i oksigjenit dhe i gazit karbonik.

Trupi — Ynë

[cite]