MURATI II
✤ Sulltan i osmanëve (1421-1451). Nën sundimin e tij, Perandoria Osmane zgjeroi më tej pushtimet duke u bërë një kërcënim për gjithë Evropën JL. Në Shqipëri • osmanët me ekspedita të reja luftarake në v. 1423 e 1426 u përpoqën të zgjeronin dhe të konsolidonin më tej sundimin. Për të siguruar nënshtrimin e vasalëve të pabindur, M. II zbatoi sistemin e marrjes peng të fëmijëve të sunduesve vendas, siç qe rasti i katër djemve të Gjon Kastriotit (shih). Lufta me Venedikun për Selanikun, në v. 1426-1430, në të cilën një varg sundimtarësh shqiptarë dhe ballkanas të tjerë anuan nga Venediku, i dha mundësi M. II të depërtonte më thellë në Serbi dhe me inkursione të reja shkatërrimtare të mënjanonte disa treva të mbetura ende jashtë kontrollit osman në Shqipërinë Qendrore. Me mënjanimin e plotë të sunduesve vendas, në trevat që nga Çamëria deri në 1. Mat, M. II arriti të zbatonte sistemin feudal-ushtarak, i eili pati pasoja të rënda për masat e gjera popullore dhe i ngriti këto kundër pushtuesve. Për të shtypur këto kryengritje të fuqishme, M. II dërgoi në v. 1432-34 komandantët e tij më të sprovuar, madje u vu edhe vetë në lëvizje për këtë qëllim. Kryengritja e përgjithshme e v. 1443, çlirimi i trevave të gjera nga lufta çlirimtare e udhëhequr nga Skënderbeu, dështimi i ekspeditave të reja osmane në v. 1444-1447, e bënë Shqipërinë një vatër qëndrese të rrezikshme për planet e M. II, në një kohë kur ai kishte mposhtur tashmë thuajse gjithë Gadishullin Ballkanik. Në krye të forcave të bashkuara të bejlerëve të «Azisë dhe të Evropës», M. II goditi dy herë Shqipërinë. Por forcat e tij u gozhduan në fillim në Sfetigrad në 1448, ndërsa ekspedita e dytë arriti më 1450 para Krujës, të eilën e rrethoi por pa mundur të mposhte as kryeqendrën dhe as të thyente forcat e tjera të Skënderbeut. Para Krujës M. II «u tërhoq me turp» (K. Marks). dhe kronistët osmanë e patën vështirë të mbulonin këtë disfatë. Një varg bashkëkohësish e shpjeguan vdekjen e M. II menjëherë pas kësaj disfate, me dëshpërimin e sulltanit që nuk mundi të mposhte atë që e pati konsideruar thjesht si kryengritje të një «rebeli» kokëfortë.
(P. B.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Murati Ii
[cite]