MYZEQEJA


MYZEQEJA
✤ Krahinë gjeografike-etnografike, që përfshin fushën më të madhe të Shqipërisë, pjesë e Ultësirës Bregdetare midis Shkumbinit në V dhe Vlorës në J. Ndahet në M. e Madhe ose të Lushnjës (midis Shkumbinit dhe Semanit); në M. e Vogël ose të Fierit (midis Semanit dhe Vjosës) dhe në M. e Vlorës (në të majtë të rrjedhjes së ulët të Vjosës). Në L shtrihet deri në kodrat e Darsisë dhe Mallakastrës, ndërsa në P deri në detin Adriatik. Ka gjatësi nga V në J 65 km dhe gjerësi nga L në P 50 km; me sipërfaqe të përgjithshme rreth 1350 km2, nga të cilat rreth 300 km2 i zënë kodrat dhe rreth 100 km2 lagunat (e Nartës, Karavastasë etj.). Nga ana administrative bën pjesë në rrethet e Lushnjes, Fierit, Vlorës dhe Beratit. Fusha e M. përbëhet nga formime lyshterore të kuaternarit dhe nga ato të sotmet, ndërsa kodrat përbëhen nga molasa neogjenike. Relievi është shumë i sheshtë, pjesa më e madhe e fushës ka lartësi jo më tepër se 20 m mbi nivelin e detit. Kurrizet kodrinore më të mëdha janë: kodrat e Divjakës (192 m), kodrat e Ardenicës (174 m), kodrat e Topalltisë (235 m). Klima është mesdhetare detare shumë e butë. Temp. mesatare vjetore (Lushnjë e Fier) janë përkatësisht 16.2° dhe 15.2°, mesataret e janarit 8°dhe 6.9°, të korrikut 24,6°C dhe 23.4°C, sasia mesatare e reshjeve 931 dhe 971 mm. M. përshkohet nga rrjedhjet e poshtme të lumenjve Shkumbin, Seman e Vjosë dhe nga një radhë përrenjsh, që kanë ndryshuar shpesh shtratin. Prurjet e ngurta e të shumta të tyre kanë mbathur fushën dhe kanë krijuar topografinë e sotme të saj. Ujërat e tyre përdoren sot gjerësisht për ujitjen e fushës, por në të kaluarën, e përmbytnin dhe e kishin kthyer M. në vendin e kënetave, që së bashku me baltovinat, livadhet etj., zinin rreth 70% të sipërfaqes së përgjithshme të saj. Punimet e mëdha të ndërmarra menjëherë pas Çlirimit për bonifikimin e plotë dhe ujitjen e M. e shndërruan atë në një nga zonat më të rëndësishme bujqësore të vendit, me bujqësi e blegtori socialiste moderne, që sot përfshihet në zonën e intensifikimit me përparësi. U bonifikuan të gjitha kënetat (e Tërbufit, Mbrostarit, Roskovecit, Hoxharës e Karavastasë së Vogël etj.). Më 1954-1964 u krye vepra më e madhe e bonifikimit në vend, ajo e M. së Madhe, duke përfshirë edhe ish-kënetën e Tërbufit, u fituan rreth 8150 ha tokë e re dhe u përmirësua kullimi në rreth 22800 ha. U hap emisari i M., 20 km i gjatë, më i madhi në vend. Më 1958-65 u bonifikua fusha e Roskovecit, duke fituar 1500 ha tokë të re e duke përmirësuar kullimin në 6750 ha të tjera. Më 1962-76 u bonifikua fusha e Hoxharës, duke përfituar 7700 ha tokë të re e duke përmirësuar kullimin e 16.400 ha të tjera. Anës lumenjve u ndër-— tuan argjinatura mbrojtëse. Për ujitjen e M. u ndërtuan dhjetëra kanale (kanali Vjosë-Levan-Fier, Devoll-Roskovec, Roskovec-Lushnje-Divjakë etj.) dhe ujëmbledhës (i Thanës me sipërfaqe afër 800 ha dhe vëllim 60 milionë m3 ujë, i Kurjanit, etj.), staciosie pompimi, hidrovore (i Hoxharës, i Divjakës etj.). Punimet bonifikuese e ujitëse u shoqëruan me ndërtimin e një rrjeti të tërë rrugësh të brendshme automobilistike, me ngritjen e qendrave të banuara (sot thuajse krejt fshatrat e M. janë të reja), me shpyllëzimin e zonave kodrinore nga shkurret e degraduara dhe mbjelljen e tyre me drurë frutorë (hardhi, fiq, bajame, ullinj), me pyllëzimet e territoreve të zhveshura e të degraduara etj. U zhduk sëmundja tepër e përhapur në M. e malaries. Në M. u shpërndanë tagitë e tokave prej reformës agrare (në Gorre,^.mh) dhe u ngrit e para koop. bujqësore (në Krutje, shih). Kulturat kryesore tradicionale të M. janë gruri dhe misri, por sot M. është shumë e njohur edhe për bimët industriale (pambuk, luledielli), foragjeret, drurët frutorë, (hardhi, ullinj, bajame etj), perimet etj. Vend të rëndësishëm zë edhe blegtoria, sidomos e gjedheve për . mish e qumësht, rritja e gjelave të detit etj. Në M. ka disa vendburime të naftës dhe të gazit. Ajo është një nga zonat më të populluara të vendit dhe gjithashtu një nga zonat më të rëndësishme industriale të Shqipërisë (ind, kimike, mekanike, e përpunimit të naftës, tekstile, ushqimore etj.). M. është qendër e një qytetërimi të lashtë (Apolonia etj.). Në territorin e saj banonte fisi ilir i Taulantëve. Emri i saj i vjetër ishte fusha e Savrës, në periudhën e mesjetës këtu u ngrit principata feudale e Muzakajve, prej të cilëve mori emrin e ri. Pas pushtimit osman një pjesë e popullsisë mërgoi ose u shpërngul në vise të thella. Pas sliekullit XVII filloi rikthimi i saj. Përveç popullsisë vendëse, që quheshin lalë, janë vendosur edhe labë (në M. e Fierit), gegë nga Kërraba, Mati, Çermenika, Dibra (në M. e Lushnjes) dhe kosovarë e çamë të ardhur në shek. tonë. Në organizimin shoqëror mori trajtë një kanun, që përfshinte norma nga kanunet tradicionale, nga e drejta kanonike dhe nga sheriati. Disa tipare dialektore përbëjnë të folmen myzeqare. Burrat kishin kaluar në veshje me brekushe me mëngore dhe në kokë mbanin takijen, gratë mbanin këmishën e gjatë ose fundin, me pjesën e sipërme si bluzë dhe të poshtmen si fustanellë, me përparje, ndërsa në kokë hidhnin lëveren. Janë ruajtur e përtërirë traditat folklorike, këngët e vallet e shtruara myzeqare.

(Me. K.—Rr. Z,—Dh. V.

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Myzeqeja


[cite]