NDIHMËSGJYQTARËT


NDIHMËSGJYQTARËT
✤ Shtetas të zgjedhur sipas mënyrës së caktuar me ligj, që marrin pjesë në shqyrtimin dhe zgjidhjen e çështjeve penale e civile në të gjitha hallkat e sistemit tonë gjyqësor. Janë vendosur rrie Kushtetutën e vitit 1946 si formë e pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë të masave në dhënien e drejtësisë. N. e gjykatave të rretheve zgjidhen për 3 vjet, ndërsa ata të Gjykatës së Lartë për 4 vjet. Thirren për të përmbushur detyrën në gjykatën e rrethit si rregull 15 ditë në vit dhe gëzojnë të gjitha të drejtat e gjyqtarëve. N. ndihmojnë për lidhjen e gjykatës me masat, për forcimin e luftës kundër shkeljeve të ligjit dhe mënjanimin e shkaqeve të këtyre shkeljeve, për popullarizimin e ligjeve dhe të vendimeve gjyqësore. Shkarkohen nga detyra kur e vendosin zgjedhësit ose organi që i ka zgjedhur, kur dënohen penalisht ose kur e kërkojnë vetë për shkaqe të arsyeshme. (G.Gj.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Ndihmësgjyqtarët


[cite]