NERËNXA


NERËNXA
✤ (Citrus aurantium, L.). Dru frutor i llojit të agrumeve, nga familja rutore (Rutaceae), i lartë 10-15 m, me gjelbërim të përhershëm, me kurorë të rrumbullakët. Degët i ka me gjemba, gjethet vezake, të dhëmbëzuara, me ngjyrë të gjelbër të errët, me aromë karakteristike, lulet të bardha që çelin në pranverë. Bën fryte të rrumbullakëta, pak të shtypura në të dy anët e me lëkurë të ashpër ngjyrë portokalli në të kuqërremtë. Jeton mesatarisht 60-70 vjet. N. e ka prejardhjen nga vendet e Azisë. Në Shqipëri mbillet kryesisht në Sarandë, Delvinë, Vlorë dhe Elbasan. Përdoret në ind. ushqimore për përgatitjen e reçelrave dhe të marmelatave të cilësisë së mirë. Nga lulet, lëkura e frutit dhe gjethet nxirret esencë me vlerë. N. përdoret si nënshartesë për agrumet e buta duke i dhënë mbishartesës një rritje të madhe.

(J.Dh.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Nerënxa


[cite]