NERVAT E SHPINËS

Nga palca e kurrizit dalin një mori fijesh nervore. Një pjesë e tyre dalin nga ana e përparme e palcës kurrizore, ndërsa një pjesë nga ana e prapme. Fijet nervore që dalin nga pjesa e përparme e palcës, janë fije nervore lëvizore (motore), ndërsa ato që dalin nga pjesa e prapme janë fije nervore ndjesore. Grupe fijesh lëvizore e ndjesore bashkohen ndërmjet tyre, duke formuar tufa të mëdha nervore. Nga çdo segment i palcës kurrizore dalin dy tufa të tilla, pra një çift nervash. Gjithsej nga palca e kurrizit dalin 31 çifte nervore.

Tufat nervore që dalin nga palca e kurrizit shkojnë në pjesë të ndryshme të organizmit. Këto tufa nervore emërtohen sipas vendit që dalin në shtyllën kurrizore. Kështu, p.sh., tufat nervore që dalin në pjesën e sipërme, gjithsej 8 çifte, quhen nervat e qafës; ato që dalin në pjesën e kraharorit (pesë çifte) quhen nervat e kraharorit etj. Fijet nervore që dalin nga palca kurrizore, lidhin pjesë të ndryshme të organizmit me palcën kurrizore, pra me sistemin qendror nervor. Ato kryejnë një funksion të dyfishtë: fijet nervore ndjesore dërgojnë në sistemin qendror nervor informacionin që marrin nga receptorët e lëkurës e të organeve, ndërsa fijet nervore lëvizore përcjellin në muskujt e organizmit urdhrat e sistemit qendror nervor.

Trupi — Ynë

[cite]