2. HISTORIA E HERSHME E SHQIPTARËVE
2.1 Nga Iliria deri te Bizanti
Për banorët e lashtë të Ballkanit dhe për gjuhët që flisnin kemi relativisht pak të dhëna.
Përveç një numri shumë të vogël mbishkrimesh të shkurtra, si dokumente gjuhësore për
ilirishten, trakishten dhe dakishten mbeten vetëm emra njerëzish dhe vendesh të përmendur
sidomos nga autorë të lashtë grekë e latinë, që zakonisht nuk qenë fort të interesuar për popujt
e tjerë. Megjithatë, nga ç’mbetet prej këtyre gjuhëve, kemi mundësi të arrijmë në përfundimin
se ato qenë indoevropiane, pra edhe të lidhura, ndonëse larg e larg, me gjuhët latine, greke,
gjermanike, sllave, baltike, kelte e kështu me radhë.
Atdheu fillestar i shqiptarëve pranohet përgjithësisht të kenë qenë malet e Shqipërisë,
dhe në mënyrë të veçantë të Shqipërisë veriore. Dijetari gjerman Georg Shtatmyler (Georg
Stadtmüller 1901-1985) ve aq larg sa t’i vendosë ata në fillim në rrethin e Matit1. Se deri ku
kishin vajtur ata në vijën bregdetare, mbetet ende një çështje e diskutueshme.
Por ç’duam të nënkuptojmë këtu me atdhe fillestar e madje, me shqiptar? Gjatë
dhjetëvjeçarëve të fundit janë bërë mjaft studime për të ashtuquajturën etnogjenezë të
shqiptarëve, një obsesion i kuptueshëm ky, sidomos ndër vetë shqiptarët, për të hetuar rrënjët
dhe prejardhjen. Me gjithë ekzistencën e disa dëshmive gjuhësore e arkeologjike, shumëçka
mbetet për t’u hamendësuar. Ajo çka dimë pak a shumë me siguri është se në lashtësi Shqipëria
ishte atdheu i ilirëve, një konglomerat fisesh indo-evropiane që në fillim migruan drejt Ballkanit
nga Evropa qendrore në fund të epokës së bronzit (rreth shekujve të dymbëdhjetë dhe
trembëdhjetë para erës sonë) dhe zunë bregdetin e Adriatikut. Vitet e fundit, në përpjekjet e tyre
për identitet e njohje, për shqiptarët është bërë njëfarë doktrine e dogmë ta quajnë veten
pasardhës të drejtpërdrejtë të ilirëve të lashtë. Si shenjë e kësaj vazhdimësie, fëmijëve shqiptarë,
kur lindin, u vihen emra ilirë. Ndonëse pa dyshim kemi një element subjektivizmi, nuk ka
kurrfarë dëshmish që shqiptarët të jenë të ardhur në atdheun e tyre të sotëm nga gjetiu. Prandaj
mund të supozojmë se trungu ilir përbën një element bazë të qenies së tyre.
Në trojet që janë sot Shqipëria nuk kanë qenë vetëm ilirët. Kolonitë e para greke u
shfaqën në gjysmën jugore të vendit në fund të shekullit të shtatë para erës sonë. Durrësi
(greqisht: Dyrrhakhion ose Epidamnos) u themelua prej kolonësh nga Korfuzi dhe Korinti më
627 para erës sonë, kurse Apolonia, tani Pojan pranë Fierit në skajin jugor të fushës së
Myzeqesë, u themelua në vitin 588 para erës sonë. Këto koloni greke, ndonëse vetëm brenda
territorit të bregdetit, patën një ndikim të fortë kulturor në vend. Gjatë periudhës nga shekulli i
pestë deri në të tretin para erës sonë, ilirët ngritën shtetet e tyre përgjatë Adriatikut, derisa ranë
pre e pushtimit romak. Ndër udhëheqësit ilirë përmenden: Agroni (sundoi në vitet 250-231 para
erës sonë), mbret i Shkodrës, dhe mbretëresha Teuta (sundoi në vitet 230-228 para Krishtit), që
mbretëroi në Lezhë (lat. Lissus).
Romakët, që përherë e më tepër po shqetësoheshin nga piratëria e ilirëve, e pushtuan
krejt mbretërinë e Ilirisë nga viti 230 deri 168 para erës sonë, dhe kështu siguruan rrugët e tyre
tregtare për në lindje. Në vitin 168 para erës sonë, me humbjen e Gentit, mbreti i fundit ilir i
Shkodrës i cili sundoi në vitet 181-168 para erës sonë, krejt Iliria ra nën sundimin romak dhe u përfshi në provincën e Maqedonisë, të themeluar në vitin 148 para erës sonë. Via Egnatia2,
rruga tokësore midis Romës dhe Bizantit, kalonte në zemër të Shqipërisë, nga Durrësi (lat.
Dyrrachium) në bregdet përgjatë lumit Shkumbin pranë Elbasanit (lat. Scampa) deri në liqenin
e Ohrit.
Në kohën e Perandorisë Romake i gjithë Ballkani iu nënshtrua ndikimit të fortë kulturor
e gjuhësor të latinishtes, e cila gjatë pesë shekujve zëvendësoi gjuhët vendëse të gadishullit.
Nën Jul dhe August Cezarin, ngulimet e Scodra-s, Dyrrachium-it, Byllis-it dhe Buthrotum-it
fituan statusin coloniae, kurse Lissus-i u bë municipium sipas ligjit romak. Me imigrimin e
vazhdueshëm të legjionarëve, tregtarëve dhe kolonëve romakë drejt provincave të Ballkanit,
qendra qytetare si këto qenë të parat që përqafuan latinishten si mjeti më i volitshëm i
komunikimit, në fillim përgjatë bregdetit të Adriatikut e më pas në brendësi. Me kalimin e
kohës, edhe vendbanimet fshatare u romanizuan deri aty sa edhe nomadët dhe fiset më të thella
malësore e ndien ndikimin e kulturës dhe gjuhës së re. Deri në rënien e Perandorisë Romake,
shumica e banorëve të Ballkanit në të vërtetë flisnin dialekte krahinore të latinishtes vulgare, të
ashtuquajturën latinishte ballkanike, ndonëse mendohet se trakishtja, për shembull, flitej ende
në disa zona deri në shekullin e gjashtë të erës së re. Rajonet e fundit që iu nënshtruan këtij
procesi romanizimi ishin pa dyshim luginat malore të thella e të paarritshme të Shqipërisë
veriore. Edhe pse latinishtja po e shpërbënte thelbin e gjuhës apo gjuhëve vendëse në këtë rajon,
dhe tashmë kishte çarë e hyrë në fjalorin dhe strukturën e tyre, ajo nuk kishte mundur të
shpërbënte shqipen e vjetër (do të përdorim këtë term pasi na mungon një më i mirë) në mënyrë
aq të plotë sa ç’kishte mundur ta bënte me gjuhën paralatine të protorumunëve.
Kur Perandoria Romake u riorganizua nën perandorin Dioklecian (sundoi në vitet 284-
305 të erës sonë) më 297 të erës sonë, Ilirisë i takoi të shkojë me lindjen dhe, me ndarjen
përfundimtare në Perandori Lindore e në Perandori Perëndimore në vitin 395 të erës së re, vendi
hyri përfundimisht në sferën politike e kulturore të Perandorisë Bizantine Lindore. Në shekujt
e mëvonëshëm, Shqipëria u pushtua e u plaçkit nga një radhë fisesh shetitëse: Hunët në
shekullin e katërt, Visigotët në vitet 380 dhe 395-401 të erës së re, Ostrogotët në vitin 459,
Vandalët në vitin 467, si dhe nga Avarët, Bullgarët dhe Sllavët.
Ishte pushtimi sllav i Ballkanit nga veriu në fillim të shekullit të gjashtë që do të
ndryshonte rrugën e historisë shqiptare. Depërtimet e para sllave ndodhën në vitet 548 dhe 587
të erës së re, dhe aty nga fillimi i shekullit të shtatë, kultura grekobizantine në Shqipëri pothuaj
kishte pushuar së qeni për një farë kohe. Një nga efektet e ngulimeve sllave në Ballkanin
jugperëndimor ishte shpëtimi i gjuhës vendëse nga romanizimi i plotë, cilado të ishte ajo. Me që
gjuha sllave e folur nga pushtuesit i zuri vendin mbisundimit gjuhësor të latinishtes dhe e
ndërpreu menjëherë procesin e romanizimit, shqipja e vjetër u ngurtësua në atë gjendje që nga
shumë gjuhëtarë quhet si gjendje gjysmëromanizimi.
Ndërsa fiset sllave populluan tokat bujqësore të fushave dhe luginave të Ballkanit
qendror, banorët vendës të pjesës më të madhe të gadishullit, d.m.th. folës të latinishtes
ballkanike apo të gjuhës protorumune, u shtynë brenda rajoneve malore jugore ngjitur me
territorin shqiptar. Pikërisht me pesë shekuj pasues të kontaktit midis shqipes së vjetër dhe
fiseve proto-rumune shpjegohen shumë tipare gjuhësore të përbashkëta sidomos në leksik e në
morfologji, që kanë shqipja dhe rumanishtja. Kolonizimi sllav i Shqipërisë, që përfundoi deri në
shekullin e tetë, shpuri gjithashtu në kontakte të forta gjuhësore sllavo-shqiptare.
Në fund të shekullit të dhjetë, perandoria e madhe bullgare ra në dorë të grekëve
bizantinë, duke u dhënë mundësi barinjve rumunë e shqiptarë për hapësira të reja. Fiset rumune
migruan si nga veriu në drejtim të verilindjes dhe veriperëndimit të Ballkanit ashtu dhe nga jugu
për në malet e Pindit, ku shumë folës arumunë hasen edhe sot. Shqiptarët nga ana e tyre, filluan të zbresin nga tokat malore e të zgjerohen në shekujt e njëmbëdhjetë e të dymbëdhjetë, së pari
duke marrë plotësisht në zotërim bregdetin verior e qendror të Shqipërisë, dhe më tej në
shekullin e trembëdhjetë duke u shtrirë në jug drejt asaj që tani quhet Shqipëri jugore dhe
Maqedoni perëndimore. Në mesin e shekullit të katërmbëdhjetë ata migruan madje edhe më në
jug brenda Greqisë, në fillim në Epir, Thesali (1320), Akarnani dhe Etoli. Së andejmi ata
vazhduan në drejtim të lindjes në Beoti (1350) dhe Atikë, ku më 1382 sundimtarët katalonjas të
rajonit u dhanë leje për t’u ngulitur aty e për të punuar tokat, si dhe në drejtim të jugut nëpër
gjirin e Korintit brenda në More (Peloponez). Manuel Kantakuzeni i Mistrës (sundoi më 1348-
1380) i ftoi kolonët shqiptarë të nguleshin në krahinat pak të populluara të Arkadisë dhe
Lakonisë e të shërbenin si mercenarë kundër principatave franke në jug. Më 1402 dhe 1425,
edhe venedikasit, sundimtarë të Negropontit të Eubesë (Evisë) i nxitën kolonët shqiptarë të
nguleshin në Eubenë e jugut3. Deri aty nga mesi i shekullit të pesëmbëdhjetë, që shënon
mbarimin e këtij procesi kolonizimi, shqiptarët ishin ngulur në mbi gjysmën e Greqisë4 dhe në
numër aq të madh saqë, në shumë zona, ata përbënin vërtet shumicën e popullsisë. Vetëm nga
mesi i shekullit të nëntëmbëdhjetë gjuha shqipe nisi t’i lëshojë udhë greqishtes. Konsulli
austriak Johan Georg fon Han (Johann Georg von Hahn, 1811-1869) raportonte më 1854 se “në
ishujt Hidhra, Spece, Poros dhe Salaminë, shqiptarët kanë ngulime aq kompakte etnikisht, saqë
gjatë luftës greke për çlirim nuk kishte fare gra që ta kuptonin greqishten”5. Megjithatë kjo
gjuhë në këta ishuj tani është zhdukur, ajo ende mund të dëgjohet në shumë fshatra të Beotisë,
Eubesë së jugut, Atikës dhe gjetkë.
Nga mesi i shekullit të njëmbëdhjetë Perandoria Bizantine, së cilës i përkiste Shqipëria,
sa vinte e po rrezikohej më tepër. Normanët, nën Rober Giskar dë Otvil-in (Robert Guiscard de
Hauteville, 1016-1085), vunë në zotërim territoret e fundit bizantine në Italinë jugore dhe më
1081 kapërcyen Adriatikun për të pushtuar Durrësin dhe Shqipërinë qendrore. Ndonëse një vit
më pas forcat bizantine ia dolën të rimarrin Durrësin, Lindja dhe Perëndimi do të vazhdonin të
haheshin për Shqipërinë në shekujt e mëvonëshëm. Pas plaçkitjes së Konstantinopojës gjatë
Kryqëzatës së Katërt më 1204, venedikasit vunë nën zotërim Durrësin (1205). Në lindje dhe
verilindje të territoreve venedikase në Shqipëri lindi shteti i parë autonom shqiptar nën princin
Progon, shteti Arbanon, i cili jetoi nga viti 1190 deri më 1216. Më 1269, Karli Anzhuin
(Charles d’Anjou, 1226-1285) zbarkoi në Vlorë dhe tre vjet më vonë e shpalli veten rex
Albaniae (mbret i Shqipërisë). Në fillim të shekullit të katërmbëdhjetë, pjesa më e madhe e
Shqipërisë u pushtua nga serbët, nën sundimin e të cilëve ajo mbeti deri në vdekjen e Stefan
Dushanit të Madh më 1355. Më pas vendi u coptua në një numër të madh dinastish feudale:
Topiajt, Balshajt dhe Dukagjinët në veri të vendit, kurse Muzakajt dhe Shpatajt në jug.
Nga mbërritja e sllavëve në Shqipëri e deri në pushtimin turk në shekullin e
pesëmbëdhjetë shqiptarët jetuan, siç u tha më sipër, në kontakt të ngushtë me fqinjët e tyre
sllavë, popuj këta që vinin të dy nën ndikimin në rritje të kulturës bizantine. Mund të flitet
vërtet për një simbiozë sllavo-shqiptare anembanë pjesës më të madhe të vendit, në të cilin
shqiptarët malësorë e, padyshim, në një masë të madhe nomadë, ndodheshin nën kërcënimin e
përhershëm të asimilimit etnik. Gjatë Mesjetës, në qytetet e bregdetit shqiptar nuk ka pasur
bashkësi shqiptare për t’u përmendur. Durrësi banohej nga venedikas, grekë, çifutë dhe sllavë;
Shkodra nga venedikas dhe sllavë, kurse Vlora nga grekë bizantinë. Emrat e lumenjve në këtë
vend, një tregues ky kurdoherë i mirë i strukturës së ngulimeve, janë në një masë befasuese sllave6. Kisha kristiane, mbrojtësja e qytetërimit mesjetar në Ballkan ashtu si gjetiu, ishte ajo që
sillte kulturën e huaj, qoftë latine, greke apo sllave. Vlerësohet se një pjesë e konsiderueshme
e shqiptarëve ishin asimiluar tashmë në prag të pushtimit turk. Ashtu si indianët e Amerikës së
Veriut pas kolonizimit evropian, shqiptarët kishin mbetur mjaft anash në vendin e vet.

_____
1 kr. në veçanti studimet e Shtatmylerit: Stadtmüller 1942c & 1950.
2 kr. Tafel 1842 dhe O’Sullivan 1972.
3 kr. F. W. Hasluck, 1908-1909.
4 kr. Stadtmüller 1950, f. 206 sq.
5 kr. Hahn 1854, f. 223.
6 kr. Elsie 1994d.

Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia

[cite]