Ngjitja e eshtrave

Një nga vetitë e mrekullueshme te eshtrave është se ato «dinë» të riparojnë vetveten. Kështu, p.sh., në qoftë se një kockë thyhet, majat e dy copave, po të mbahen pranë e pranë, pas pak kohe do të ngjiten me njëra-tjetrën. Zona e thyer ushqehet me bollëk me gjak e me limfë dhe kockat në atë pjesë fillojnë të prodhojnë qeliza të reja, që bashkohen ndërmjet tyre. Rreth zonës së thyer grumbullohet një sasi e madhe kalciumi që formon një si kallo, e cila i mban fort të kapura pjesët e kockës së thyer e siguron ngjitjen e plotë të tyre.

Megjithëse eshtrat mund ta kryejnë vetë këtë proces, mjekësia me mjete e mënyra të ndryshme e ndihmon atë. Mjekët ortopedë, që merren me mjekimin e eshtrave të dëmtuara, kujdesen që eshtrat e thyera të vendosen mirë pranë njëra-tjetrës dhe t‘i mbajnë të palëvizura, duke vendosur rreth zonës së thyer një këllëf prej allçie. Kjo ndihmon e shpejton procesin e ngjitjes.

Trupi — Ynë

[cite]