Njeriu
Ndër të gjitha qeniet e gjalla që jetojnë në tokë, njeriu është qenia më e lartë, më e përsosur. Asnjë organizëm tjetër i gjallë nuk është aq i ndërlikuar e kompleks dhe nuk është i aftë të kryejë aq shumë gjëra sa trupi i njeriut. Njeriu është i aftë të kryejë lëvizje nga më të ndryshmet; është i aftë të flasë e të qeshë, të lexojë e të këndojë, të mësojë, të mendojë e të gjykojë, është i aftë mbi të gjitha të punojë, të ndërtojë makina e pallate e të prodhojë të mira materiale që i nevojiten për të jetuar.
Çdo pjesë e veçantë e trupit të njeriut është e gjallë në vetvete dhe punon për të mbajtur në efektivitet të plotë të tërë trupin. Kjo kryhet me një harmoni të habitshme. Por a e njohim ne sa duhet trupin tonë? Ne dimë e njohim shumë gjëra: dimë si punon një makinë, dimë si fluturojnë zogjtë dhe aeroplani, si funksionon telefoni, radioja, televizori e shumë të tjera, por ndoshta dimë shumë pak për trupin tonë. Pikërisht ky është dhe qëllimi i këtij leximi: të na njohë se si është ndërtuar dhe si funksionon trupi ynë. Dhe mendojmë se kjo është një gjë që duhet ta dimë të gjithë.