Nyjëtimi i kockave
(lloje të ndryshme nyjëtimi) Nyjëtim ose kyç (artikulacion) quhet vendi ku lidhen dy kocka. Dy majat e kockave që lidhen ndërmjet tyre kanë forma të ndryshme: zakonisht njëra ka formë konvekse dhe quhet koka e nyjëtimit dhe tjetra konkave e qu-het gropa e nyjëtimit. Sipërfaqja e tyre është e mbuluar nga një cipë e hollë kërcore shumë e lëmuar, që u lejon atyre të rrëshqasin mirë ndaj njëra tjetrës. E gjithë zona e nyjëtimit është e mbuluar nga një qese indore që kapet fort në të dy anët e kockave. Sipërfaqja e brendshme e kësaj qeseje është e veshur me disa kokrriza që formojnë atë që quhet shtresa sinoviale. Këto kokrra përmbajnë një lloj lëngu që quhet lëngu sinovial e që shërben për të vajisur sipërfaqen e eshtrave që nyjëtohen.
Në disa nyjëtime ndodhen edhe disa qeskëza të vogla (borsa) dhjamore. Ato vendosen ndërmjet eshtrave që nyjëtohen dhe shërbejnë si jastëkë për të penguar fërkimin e tyre. Ndonjëherë këto qeskëza ndodh që dëmtohen. Në këtë rast ndjehen dhimbje në zonën e nyjëtuar dhe kemi atë lloj dëmtimi të nyjëtimeve që quhet borsit. Sipas formës që kanë anët e kockave që nyjëtohen, dallojmë disa lloje nyjëtimesh: nyjëtime cilindrike, kur faqet që nyjëtohen kanë formë cilindrike, të futura te njëra-tjetra, si p.sh. te bërryli; nyjëtime në formë shale, kur faqet që nyjëtohen kanë secila formën e një shale, si p.sh. te gishti i madh i dorës;.nyjëtime sferike, kur faqet që lidhen kanë formën e një sfere, njëra konkave dhe tjetra konvekse, si p.sh. nyjëtimi i humerusit me shpatullën etj. Ndër të gjitha llojet, më të lëvizshme janë nyjëtimet sferike. Nyjëtime pak të lëvizshme kemi p.sh. te shtylla kurrizore. Në fakt rruazat mund të lëvizin pak ndaj njëra tjetrës, ndërsa të gjitha së bashku lejojnë përkuljet e shtyllës kurrizore në të gjitha drejtimet. Kockat e nyjëtuara mbahen pranë njëra-tjetrës nga lidhëse të fuqishme të formuara nga inde dejore shumë të qëndrueshme. Këto lidhëse ose ligamente mbulojnë shpesh gjithë zonën e nyjëtuar dhe lejojnë që kockat e nyjëtuara të bëjnë vetëm lëvizjet e caktuara.