NXJERRJA E GAZIT
✤ Degë e ind. së naftës e të gazit që merret me nxjerrjen e gazit nga vendburimet e gazit dhe ato të gazokondensatit, grumbullimin dhe përgatitjen për ta dërguar te përdoruesi. Gazi natyror (shih) që nxirret nga vendburimet e gazit në përgjithësi ka përmbajtje të lartë të metanit, ndërsa gazi që nxirret nga vendburimet e gazokondensatit (në thellësi mbi 2000 m) ka përmbajtje të lartë të hidrokarbureve të rënda. Gazi, para se të dërgohet te përdoruesit, thahet dhe pastrohet në gazndarëse si dhe në impiante përkatëse që bazohen kryesisht në teknologjinë e ndajthithjes kimike. N. e G. në Shqipëri filloi në vitet 60 me zbulimin dhe vënien në shfrytëzim të gazit dhe të gazokondensatit. Gazi natyror i vendburimeve tona ka deri 98% metan, kurse ai nga vendburimet e gazokondensatit, që në përgjithësi shoqërohet edhe me një brez naftë në shtresë, ka përmbajtje mesatare të , kondensatit rreth 270 cm3/nm3. Gjithashtu ky gaz është i pasur me përbërës acidë, që arrijnë deri rreth 20%. Është fituar një përvojë e mirë në teknologjinë e shfrytëzimit të vendburimeve. Për të shmangur formimin e kristalohidratëve që pengojnë N. e G. përdoret ngrohja e gazit me ujë të nxehur në daije të pusit. Pajisjet për përgatitjen e gazit për përdorues prodhohen kryesisht në vend.
(R.Re.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Nxjerrja E Gazit
[cite]