NYJAT LIMFATIKE
Në rrugën e enëve limfatike ndodhen disa truptha të vegjël që quhen nyja limfatike ose gjendra limfatike. Këto nyja kanë formë të rrumbullakët ose vezake dhe janë të formuara nga inde qelizore. Në nyjat limfatike hyjnë mjaft enë të holla, që sjellin limfën nga rrjeti kapilar limfatik, dhe dalin enë limfatike më të mëdha, që derdhin limfën në degët e mëdha limfatike të organizmit. Në këtë mënyrë e gjithë limfa që rrjedh në sistemin limfatik. kalon pa tjetër edhe nëpër nyjat limfatike. Detyra e nyjave limfatike është që të mënjanojnë mikrobet e papastërtitë e ndryshme nga limfa.
Nyjat limfatike mund të themi se janë filtra për pastrimin e limfës. Ato ndalojnë e shkatërrojnë mikrobet, bakteret e papastërtitë, që rastësisht arrijnë të hyjnë në organizmin tonë. Në nyjat limfatike prodhohen disa qeliza që quhen limfocite, të cilat kanë pikërisht për detyrë të shkatërrojnë bakteret e mikrobet që ndodhen në limfë. Pra, nyjat limfatike janë organe që mbrojnë organizmin. Bajamet, që i njohim të gjithë, janë nyja limfatike; ato ndalojnë dhe filtrojnë mikrobet që vijnë nga jashtë, nëpërmjet ajrit dhe ushqimeve. Prandaj heqja e bajameve duhet të bëhet vetëm kur është shumë e domosdoshme. Shumë studiues edhe shpretkën e konsiderojnë si një nyjë të madhe limfatike. Në fakt shpretka ndodhet më shumë në sistemin e qarkullimit të limfës se sa në atë të gjakut.