ORGANI I EKUILIBRIT
Në veshin e brendshëm ndodhet edhe organi i ekuilibrit, i cili e informon trurin në çdo çast mbi pozicionin e trupit tonë në hapësirë. Me ndihmën e këtij organi ne jemi në gjendje të ruajmë baraspeshën e veprimeve tona, edhe në ato raste kur rrotullohemi ose kërcejmë. Organi i ekuilibrit është i përbërë nga tri kanale gjysmërrethore, që formojnë atë që quhet labirinti membranor, dhe nga një hapësirë që lidhet me këto kanale dhe që quhet vestibuli. Të tria kanalet janë të vendosura perpendikularisht ndaj njëri-tjetrit dhe janë mbushur me një lloj lëngu që quhet endolimfa.
Çdo lëvizje, çdo përkulje e qafës, çdo rrotullim apo hedhje që kryejmë ne. shkakton lëvizjen e lëngut në kanalet, gjysmërrethore. Këto lëvizje shndërrohen në impulse nervore. që nervat e ekuilibrit i transmetojnë menjëherë në trurin e vogël, ku ndodhet qendra e ekuilibrit. Në këtë mënyrë truri njoftohet vazhdimisht mbi pozicionin e trupit tonë. Kur rrotullohemi rreth vetes shumë herë e me shpejtësi dhe ndalojmë menjëherë, kemi marramendje, kemi përshtypjen se sendet përreth vazhdojnë të rrotullohen edhe pasi kemi ndaluar. Kjo ndodh sepse lëngu, që ndodhet në kanalet gjysmërrethore, vazhdon të lëvizë, për shkak të plogështisë (inercisë) edhe pasi ne kemi ndalur së rrotulluari, Marramendje kemi edhe kur pësojmë tronditje të vazhdueshme, si p.sh., kur udhëtojmë për një kohë të gjatë me automobil ose me anije. Në këto raste, tronditjet e vazhdueshme shkaktojnë turbullira në organin e ekuilibrit, sidomos tek ata njerëz që e kanë disi të dobët ose pak të dëmtuar këtë organ. Këto turbullira mund të jenë edhe të forta, shoqërohen me zbehje, me shpeshtime në procesin e frymëmarrjes, me djersitje dhe me vjellje.