Onufër Qiprioti
(greqisht: Ονούφριος ο Κυπριανός) Onufër Qiprioti (+1634) ishte me prejardhje greke, por aktivitetin e tij e zhvilloi nëpër kishat e Beratit. Onufër Qiprioti ka lindur në Qipro dhe vite më vonë e gjejmë në Venedik. Në Berat mendohet se ka ardhur në vitin 1591 kur ishte në moshën 40-vjeçare. Në fillim ka pikturuar afresket në Kishën e Shën Kollit. Një nga veprat e talentit të spikatur të Onufër Qipriotit është edhe ikona e madhe e Krishtit në Kishën e Shën Mërisë Vllaherna në Berat. Gjithashtu ka pikturuar edhe dyert e bukura të kësaj kishe. Në kishën e Shën Triadhës në Berat peneli i tij ka pikturuar ikonën e Shën Gjergjit, e cila mban mbishkrimin: “pikturuar nga dora e Onufër Qipriotit”. Në një mbishkrim tjetër që gjendet në ikonën e Shën Kollit në Kishën e Shën Gjergjit në kala të Beratit thuhet: “…U pikturua nga dora e Onufër Qipriotit”. Në vitin 1622 ai ka pikturuar afresket e kishës së Vrahogoranxisë. Onufër Qiprioti shquhet edhe për pikturat murale, nga të cilat vlera të veçanta kanë ato të Kishës së Shën Kollit në kala të Beratit, të Manastirit të Çatistes në Gjirokastër etj. Onufër Qiprioti mendohet të ketë fjetur në vitin 1634 në moshën 63-vjeçare.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, Tiranë 1998, N.96, faqe 89.
2-Elsa Demo, Çështë ky Qipriot, Shekulli, 15 prill 2004, faqe 18-19.