Onufri
(greqisht: Ονούφριος) shqiptar ortodoks Onufri mendohet të jetë nga Elbasani dhe të ketë qenë prift i martuar. Rreth mjedisit familjar të tij të dhënat janë të pakta. Njihet vetëm i biri Nikolla, i cili mësoi artin e ikonografisë prej babait të tij. Onufri ka qenë klerik duke mbajtur ofiqin “Protopapë” që do të thotë “Prift i parë “. Nuk dihet se cili episkop e ka dorëzuar Onufrin prift dhe cili i ka dhënë ofiqin Protopapë, por vetëm një gjë është e qartë se ai ka ushtruar aktvitetin në shekullin XVI. Në vitin 1951 një ekspeditë e Institutit të Shkencave, e drejtuar nga teologu Theofan Popa, zbuloi në kishën e Shën Kollit në Shelcan (fshat i krahinës së Shpatit në rrethin e Elbasanit) një mbishkrim të Onufrit. Mbishkrimi është shkruar në greqishten bizantine nga dora e mjeshtrit të madh Onufri dhe gjendet mbi faqen e murit verior të kishës, pranë tryezës së thisiastirit. “Kur të ngresh duart e tua te Perëndia o meshtar i Perëndisë, më përmend edhe mua mëkatarin dhe të paditurin piktor Onufrin”. Përmbajtja e këtij mbishkrimi na lë të kuptojmë se Onufri në atë kohë nuk ishte dorëzuar ende klerik, sepse i lutet meshtarit që ta kujtojë gjatë përgatitjes së dhuratave të shenjtëruara. Mendohet se ky mbishkrim duhet të jetë shkruar përpara vitit 1554, sepse duke u nisur nga mbishkrimi tjetër i Onufrit në kishën e Shën e Premtes në fshatin Valësh të krahinës së Shpatit kemi edhe këtë shtojcë:”…….. më përmend edhe mua mëkatarin, prift Onufrin, piktorin dhe Protopapë të Neokastrës”. Onufri veprimtarinë e tij nuk e zhvilloi vetëm nëpër kishat e Shpatit dhe të Beratit, por e shtriu edhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Në afresket e kishës së Apostujve të Shenjtë në Kostur gjejmë këtë mbishkrim të shkruar nga dora e Onufrit: “U pikturua prej Onufrit të ardhur kohët e fundit nga qyteti i shkëlqyer i Beratit”. Afresket datojnë rreth vitit 1547 Gjithashtu Onufri ka pikturuar ikonat murale edhe në Manastirin e Sepçes në Shkup, kishën e “Metamorfozës” në manastirin e Zërzes etj. Onufri përveç pikturave murale ka bërë edhe mjaft ikona të lëvizshme, nga të cilat mund të veçojmë ato të Kishës Vangjelistra dhe të Shën Mitrit në kalanë e Beratit.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Dhorka Dhamo, Piktura e mesjetës në Shqipëri, Tiranë1974, faqe 14.
2-Theofan Popa, Onufri dhe biri i tij Nikolla, Ngjallja, shtator 1995, faqe 9.
3-Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, Tiranë 1998, N.7, faqe 52. 4-Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, Tiranë 1998, N.14,faqe 55.
5-Theofan Popa, Ikona dhe miniatura mesjetare në Shqipëri, Tiranë 1974, faqe 12,13.
6-Moikom Zeqo, Onufri, Medaur, Tiranë 1998, faqe 40.