PËRBËRJA E GJAKUT
Po të shohim në mikroskop një pikë gjaku, do të vëmë re se ai është një lëng i qartë, pothuaj si ujë, i ngjyruar sa pak në të verdhë. Ky lëng i vërdhemtë është një nga përbërësit kryesorë të gjakut dhe quhet plazmë.
Pamjen e kuqe gjakut ia japin disa qeliza me ngjyrë të kuqe, në formë të thjerrëzave, që notojnë me shumicë në plazmë. Këto janë rruazat e kuqe ose eritrocitet. Po të vrojtojmë më me kujdes në mikroskop, në plazmën e. gjakut do të vëmë re edhe disa qeliza të bardha, që janë më të pakta në numër se ato të kuqet. Këto janë rruazat e bardha ose leukocitet. Është’ llogaritur se gjaku i trupit tonë përmban rreth 20.000 milionë qeliza të kuqe e të bardha.
Rruazat e kuqe, rruazat e bardha dhe plazma kryejnë tri detyra të veçanta. Plazma është ajo që çon në qelizat dhe në indet e organizmit lëndët ushqimore. Kur gjaku arrin në rrjetën kapilare, një pjesë e plazmës kalon membranën e gypave kapilarë, bashkohet me limfën që rrethon qelizat e trupit tonë dhe lëshon aty lëndët ushqimore që ka sjellë. Nga limfa lëndët ushqimore i marrin qelizat, në përputhje me nevojat e tyre. Një pjesë e plazmës hyn në rrjetën kapilare të venave dhe kthehet përsëri në zemër, kurse një pjesë tjetër thithet nga vazot limfatike dhe hyn në sistemin e qarkullimit limfatik.