Origjeni

(greqisht: Ωριγένης) Origjeni (185-254) ka lindur në vitin 185 në Aleksandri nga prindër kristianë. Babai i tij Leonidha kishte vdekur si martir në vitin 202 gjatë persekutimeve të perandorit Septim Severi. Origjeni ishte nxënës dhe pasardhës i Klimit të Aleksandrisë në drejtimin e shkollës së katekizmit. Ai ishte një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të shkollës së Aleksandrisë dhe një shkrimtar gjenial. Filozofinë e kishte mësuar nga i famshmi Amonius Saca, themeluesi i rrymës neoplatonike, ndërsa teologjinë nga Klimi i Aleksandrisë. Që në moshë të re shquhej për njohuritë e gjera dhe për jetë të moralshme. Në moshën 18-vjeçare u emërua drejtor i shkollës së katekizmit. Sipas dëshmisë së Eusebit, leksionet e Origjenit tërhiqnin shumë dëgjues, si të krishterë ashtu edhe paganë. Ky fakt ndikoi që nëna e perandorit Aleksandër Severi, Julia Mamea, ta thërresi në Antioki, që t’i mësonte djalit të saj të vërtetat e kristianizmit. Origjeni udhëtoi në Romë, Greqi dhe Arabi për qëllime studimi dhe debate teologjike. Gjatë këtyre udhëtimeve episkopët e Qesarisë dhe të Jeruzalemit e dorëzuan prift. Kjo gjë e zemëroi episkopin Dhimitër, i cili thirri dy sinode në Aleksandri ku vendosi përjashtimin e tij nga rradhët e klerit. Atëherë Origjeni shkoi në Qesari ku themeloi një shkollë katekizmi si ajo e Aleksandrisë. Në kohën e persekutimeve të perandorit Decius, Origjenin e futën në burg. Ai vdiq nga shkaku i torturave në Tiro të Finikit në vitin 254. Shkrimet: Origjeni është një nga shkrimtarët kristianë më produktivë. Thuhet se ka shkruar rreth 6000 vepra, sepse kishte shtatë stenografë, që shkruanin atë çfarë u diktonte ai dhe po aq kopjues dhe kaligrafistë. Për veprimtarinë e tij të palodhur pasardhësit e quajtën “Adamintion” i fortë si diamanti. Vetëm një pjesë e vogël e veprave të tij janë ruajtur. Shumica kanë humbur. Origjeni është marrë më shumë me interpretimin e shkrimeve të shenjta. Veprat e tij në këtë fushë kanë qenë këto: 1) Eksapla, një edicion i Shkrimeve të Shenjta në disa gjuhë dhe komentarët pothuajse të të gjitha shkrimeve të Dhiatës së Vjetër dhe të Re. 2) Në fushën apologjitike në vitin 246 ka shkruar një apologji të famshme Kundër Çelsit. 3) Në fushën dogmatike shkroi librin e parë dogmatik me titull “De Principis”, një vepër monumentale, por brenda së cilës qenë përfshirë shumë ide heretike. 4) Në fushën e moralit kristian në vitin 233 shkroi një libër Mbi lutjen dhe një tjetër Mbi shtytjen për martir në vitin 235, si dhe një numër të madh fjalimesh dhe letra. Më vonë, në Sinodin V Ekumenik të vitit 553, Origjeni u dënua si heretik sepse në shkrimet e tij ekzistojnë, krahas doktrinës së drejtë dhe të vërtetë kristiane, edhe mësime të gabuara.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)

Besimi — Ortodoks
Persona

[cite]