ORTOPEDIA E TRAUMATOLOGJIA


ORTOPEDIA E TRAUMATOLOGJIA
✤ Degë e kirurgjisë që merret me studimin, mjekimin e patologjisë kirurgjikale të gjymtyrëve dhe të shtyllës kurrizore. Ortopedia merret me profilaksinë dhe ndreqjen e deformimeve të lindura ose të fituara në trupin e njeriut. Në kushtet e zhvillimit industrial të sotëm aktivitetin më të madh të ortopedisë e zë traumatologjia e gjymtyrëve dhe e shtyllës kurrizore me thyerjet e kockave, përdredhjet dhe nxjerrjet e kyçeve nga vendi. Ky specialitet në Shqipëri është relativisht më i ri se disa degë të tjera të kirurgjisë. Para Çlirimit me traumat e posaçërisht me thyerjet e koekave, përveç kirurgëve të pakët që kishte në Shqipëri, merreshin xlierahët. Më 1957 u hap klinika universitare e O. dhe T. në Fakultetin e Mjekësisë. Sot ky specialitet është shtrirë në të gjitha rrethet kryesore të vendit. Arritje janë shënuar në teknikën e trajtimit të thyerjeve dhe në njohjen e proceseve të ngjitjes së kockave. Për profilaksinë dhe trajtimin e keqformimeve të lindura të fëmijëve (si luksacioni koksofemoral kongjenital, të deformimeve skeletike të moshës së rritjes si skoliozat) bëhet depistimi i detyrueshëm sistematik i të gjithë të të porsalindurve, i fëmijëve dhe i shkollarëve. Zëvendësimi i kyçeve të deformuara, të sëmura ose të dëmtuara me proteza metalike e plastike, kryhet sot si kudo edhe në vendin tonë. Ndihmesë për zhvillimin e kësaj dege të kirurgjisë kanë dhënë Panajot Boga etj.

(Pa.B.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Ortopedia E Traumatologjia


[cite]