Pagëzimi
Pagëzimi është misteri i parë që kryhet në Kishën Ortodokse për t’u bashkuar me Krishtin. Në kohët e hershme Pagëzimi kryej me të zhyturit në ujë ashtu siç e kishte parathënë profeti Jezekiel: “Do të lëshoj pastaj ujë të pastër mbi ju dhe do të jeni të pastër; do t’ju pastroj nga të gjitha ndyrësirat tuaja dhe nga të gjithë idhujt tuaj” (Jezekiel 36, 25). Mirëpo ky nuk ishte pagëzimi i vërtetë, sepse atë do ta merrnin nga Zoti dhe Shpëtimtari Krishti i cili predikonte: “Në të vërtetë, në të vërtetë po iu them se kush nuk ka lindur nga uji dhe nga fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë” (Joani 3, 5). Nëpërmjet kryqëzimit, Krishti na pastroi nga mëkati stërgjyshor dhe na dha mundësinë që të besojmë dhe të pagëzohemi. Ai që nuk pranon si edhe nuk pohon besimin te Zoti Krisht dhe nuk pagëzohet, nuk mund të shpëtohet. Misterin e Pagëzimit Krishti e krijoi dhe mbas Ngjalljes, duke i porositur apostujt që të shkojnë në të gjitha kombet dhe të pagëzojnë ata që besojnë, “Në emër të Atit dhe të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë”.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Protopresviter Thomas Hopko, Besimi Orthodhoks, Vol II, Adhurimi, botim i K.O.A.Sh-it, Tiranë 1997, faqe 49-50.